Qindra njerëz morën pjesë në funeralin e gazetares së vrarë nga një autobombë në Maltë, më 16 tetor.
53-vjeçarja Daphne Caruana Galizia njihej për investigimet e saj dhe akuzat që iu bënte shpesh zyrtarëve të lartë për korrupsion.
Përmes një prej hetimeve të saj më të fundit, ajo rrëzoi qeverinë e Maltës dhe çoi vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Me qindra qytetarë e nderuan atë në rrugëtimin drejt banesës së fundit, ndërsa familja nuk lejoi as edhe një prej udhëheqësve të vendit që të merrnin pjesë në ceremoni.
E premtja është shpallur ditë zie në Maltë, në nderim të gazetares së vrarë, e flamujt u valëvitën në gjysmështizë.
Jashtë kishës, ku u zhvillua ceremonia mortore, qytetarët e shumtë bënë thirrje për drejtësi dhe zbardhjen e vrasjes së gazetares. Ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë nga FBI-ja, po ndihmojnë në hetime, por deri tani nuk është bërë asnjë arrestim.
Krerët e 8 prej organizatave më të mëdha të lajmeve në botë, përfshirë BBC-në, i bënë thirrje Komisionit Europian që të hetojnë vrasjen e gazetares. Komisioni Europian nuk është angazhuar drejtpërdrejt në hetime, por zyrtarë të tij thanë se sytë e Europës janë mbi autoritetet e Maltës.
Top Channel