Duke kujtuar ditën e policëve të rënë në krye të detyrës, kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se, mënyra më e mirë për të vlerësuar veprën e tyre është beteja pa kompromis me krimin.
“Sot është dita e të rënëve të policisë në krye të detyrës, një ditë që na kujton për ata burra në uniformë, me kurajo e integritet, që dhanë jetën në luftën kundër krimit. Askush nuk ka bërë më shumë se ata për rendin dhe drejtësinë në këtë vend dhe mënyra më e mirë për t’i kujtuar e për të vlerësuar veprën e tyre është beteja pa kompromis ndaj krimit, bandave dhe drogës. Vetëm kështu shpirti i tyre do prehej në paqe”, ka deklaruar Basha.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Basha ka theksuar se, për fat të keq, oficerët e rënë sot janë të tradhtuar dhe shpirti i tyre i trazuar, sepse krimi që ata luftuan ndan pushtetin me qeverinë.
“Krimi që ata luftuan sot është në formën e kupolës mafioze, ku janë bashkë qeveria dhe bandat. Ku shefat e komisariateve, besnikë të qeverisë, ndihmojnë trafikantet dhe dhunojnë të pamundurit. Ndërkohë që dëshmorët e policisë dhanë jetën për tjetër gjë, për sigurinë e qytetarëve dhe për të ndalur krimin”, ka thënë Basha.
Ai ka shtuar se nuk mund të lejohet që sakrifica e tyre të shkojë dëm. “Krimi, bandat dhe mafia duhen shtypur, por kjo bëhet e mundur vetëm me një qeveri që nuk i mbron dhe ndan pushtetin me ta, por i lufton, i ndëshkon dhe i çon para drejtësisë bashkë me pushtetarët e korruptuar, që sot janë mburoja e krimit”, ka shtuar Basha.
Top Channel