Zjarret vranë 41 portugezë, dorëhiqet ministrja e Brendshme

18/10/2017 00:15

Kriza e zjarreve në Portugali, me dhjetëra viktima të regjistruara brenda pak ditëve, e ka çuar ministren e Brendshme drejt dorëheqjes.

Constança Urbano de Sousa shpjegoi se ka vendosur të largohet për të ruajtur në këtë mënyrë “dinjitetin e saj personal”.

Ministria e drejtuar prej saj është përgjegjëse për zjarrfikësit dhe Agjencinë vendase të Mbrojtjes Civile, që të dyja të kritikuara ashpër për mënyrën e menaxhimit të situatës.

Shpërthimi i zjarreve masive pyjore në vend, ditët e fundit ka marrë 41 jetë njerëzish. Katër persona vdiqën në Spanjën fqinje nga flakët e ushqyera edhe prej erërave të forta të stuhisë “Ophelia”. Të plagosurit janë me qindra.

Për Portugalinë, kjo ishte tragjedia e dytë e këtij lloji brenda vitit, pas zjarreve të fuqishme të muajit qershor, që vranë më shumë se 60 vetë. De Sousa u përball edhe atëherë me thirrjet për largim nga posti.

Pas dorëheqjes së saj, presidenti i vendit i bëri thirrje Parlamentit të shohë nëse e gjithë qeveria aktuale duhet të vazhdojë të mbajë pozicionin që ka. Sipas Marcelo Rebelo de Sousas, ekzekutivit i nevojitet një mandat i fortë për zbatimin e reformave, në raport me menaxhimin e zjarreve dhe pyjeve në përgjithësi, në mënyrë që të shgmanget përsëritja e fatkeqësive të tilla në të ardhmen.

Roli i kreut të shtetit në Portugali është përgjithësisht ceremonial, por ai ka fuqinë ta shpërbëjë Parlamentin. Partia opozitare e Popullit e ka paraqitur tashmë një mocion mosbesimi mbi mënyrën sesi u trajtua kjo emergjencë. Në anën tjetër të kufirit, në Spanjë, një person është arrestuar për nisjen e njërit prej zjarreve, edhe pse rezulton ta ketë bërë këtë nga pakujdesia dhe jo qëllimisht.

Top Channel