Kongresi komunist, 2.000 delegatë mblidhen në Pekin

18/10/2017 09:53

Ngjarja më e madhe politike e Kinës, Kongresi i Partisë Komuniste u çel në Pekin nën masa të rrepta sigurie.

Presidenti Xi Jinping iu drejtua për më shumë se 3 orë 2.000 delegatëve në kryeqytet. Samiti me dyer të mbyllura, i zhvilluar çdo 5 vite, përcakton praktikisht se kush do ta qeverisë vendin dhe çfarë drejtimi do të marrë ai gjatë mandatit të ardhshëm.

Në fjalimin e vet, Xi renditi arritjet kryesore, duke theksuar se përfitimet e socializmit me karakteristikat kineze e shndërruan sipas tij Kinën në një fuqi të madhe botërore.

“Perspektiva e kombit tonë është e shkëlqyer, por ai përballet me disa sfida. Ne do ta bashkojmë popullin kinez, do të bashkojmë të gjithë grupet etnike e do t’i udhëheqim drejt një fitoreje vendimtare në ndërtimin e një shoqërie të begatë dhe në përpjekjet për të siguruar suksesin e socializmit me karakteristika kineze në një epokë të re”, tha Xi Jinping.

Presidenti përshkroi më tej shkurtimisht planin e tij prej dy fazash për “modernizimin socialist” të Kinës, që supozohet të përmbushet deri në vitin 2050; paralajmëroi kundër separatizmit, një referim i qartë ky ndaj lëvizjeve në Xinjiang, Tibet dhe Hong Kong; e theksoi edhe një herë parimin qeveritar se Tajvani është pjesë e Kinës.

Më tej këmbënguli se Kina nuk do t’ia mbyllë dyert e saj botës dhe premtoi reforma të mëtejshme ekonomike, përfshirë këtu reduktimin e barrierave për investitorët e huaj, ndërsa nuk la pa përmendur fushatën e gjerë kundër korrupsionit brenda radhëve të partisë, që ka bërë të ndëshkohen deri tani mbi një milion zyrtarë.

“Në thelb, Jinping është një udhëheqës shumë më i sigurtë në vetvete sesa paraardhësit e tij”, thotë BBC. “Por ajo që bënte më shumë përshtypje në fjalimin e tij ishte besimi i fortë ideologjik”.

Mediet partiake kanë folur shumë kohët e fundit për krizën dhe kaosin e demokracive perëndimore, krahasuar me fuqinë dhe unitetin kinez, e me situatën të parapërgatitur tashmë, në Kongres deklaroi se nuk duhen kopjuar sistemet e huaja politike.

Top Channel