Spanjë, arrestohen separatistët katalanas

17/10/2017 22:12

Një gjykatës spanjoll urdhëroi arrestimin e dy eksponentëve kyç të lëvizjes pro shkëputjes së Katalonjës.

Jordi Sanchez,  i cili kryeson Asamblenë Kombëtare Katalanase dhe Jordi Cuixart, lider i Organizatës Omnium Cultural u burgosën nën akuzën për rebelim gjatë protestave të 20 dhe 21 shtatorit në Barcelonë.

Dy burrat besohet se kanë pasur një rol të rëndësishëm në organizimin e referendumit të 1 tetorit, i shpallur i paligjshëm nga Gjykatat spanjolle.

Pas referendumi presidenti rajonal Carles Puigdemont nënshkroi deklaratën e Pavarësisë, por e pezulloi implementimin e saj për të lejuar zhvillimin e negociatave.

Të hënën ai kërkoi që bisedimet të mbaheshin gjatë 2 muajve të ardhshëm. Megjithatë qeveria spanjolle ka paralajmëruar se Katalonja duhet të anulojë deklaratën ose në të kundërtën do të përballet me udhëheqjen e drejtpërdrejtë nga Madridi.

Puxhdemont zemëroi gjithashtu autoritetet spanjolle pasi refuzoi te sqaronte nëse e kishte shpallur apo jo pavarësinë javën e kaluar.

Presidenti katalanas, të cilit i është dhënë kohë deri të enjten për të sqaruar pozicionin e tij, sulmoi qeverinë në rrjetin social twitter pas lajmit për arrestimin e Sanchez dhe Cuixart.

Në një video të regjistruar përpara shfaqjes në Gjykatë dhe të publikuar në twitter pas burgosjes se tij, Cuixart udhëzon separatistët të mos e humbin shpresën pasi, siç tha, populli i Katalonjës e ka fituar te ardhmen tij.

Mbështetësit pro pavarësisë kanë kërkuar mbajtjen e protestave të rejave për lirimin e dy burrave.

Top Channel