Pranga “artistit” rus, i vuri zjarrin bankës në Paris

17/10/2017 14:22

Një artist kontrovers rus, që ka marrë azil politik në Francë, është arrestuar pasi i vuri zjarrin një banke në qendër të Parisit.

Petr Pavlensky u arrestua të hënën, ndërsa zjarrfikësit u angazhuan në shuarjen e flakëve në fasadën e Bankës së Francës, në sheshin e Bastijës.

33-vjeçari Pavlensky u bë i famshëm fillimisht pasi nguli me gozhdë lëkurën e organit të tij gjenital në “Sheshin e Kuq” në Moskë, në vitin 2013, e siç tha vet ai, kjo ishte një metaforë për apatinë politike ruse.

Ai u largua nga Rusia në janar, në lidhje me akuzat për agresion seksual, që ai vet i mohon. Vitin e kaluar, ai u shpall fajtor për shkaktim dëmesh, pasi i vuri zjarrin dyerve të Shërbimit të fuqishëm të Sigurisë ruse, “FSB”.

Projekti më i fundit i Pavlenskyt i shkaktoi Bankës së Francës dëme të vogla, e bëri që ajo të mbyllej deri në një njoftim të dytë. Nuk është i qartë se cili ishte qëllimi i tij, por artisti i vetëshpallur politik u citua të thoshte se, bankierët ia kishin zënë vendin monarkëve.

Ai u shoqërua bashkë me partneren e tij, Oksana Shalygina, në rajonin më të afërt policor, nën akuzat për dëmtim me zjarrvënie. Në projekte të tjera, më herët ai kishte lidhur veten me tel me gjemba, kishte qepur buzët me gjilpërë, apo ishte ngjitur mbi murin e një instituti psikiatrik krejt i zhveshur dhe kishte prerë veshin.

Top Channel