Somali, mbi 300 viktima nga sulmet me bomba

16/10/2017 19:59

Më shumë se 300 persona kanë vdekur si pasojë e shpërthimeve të dyfishta me bombë në Mogadishu, në atë që zyrtarët e vendit e cilësojnë si sulmin më vdekjeprurës në mbi një dekadë për Somalinë.

Banorë vendas kanë mësyrë spitalet në kërkim të të afërmve dhe miqve të tyre, që mund të kishin mbetur viktima të këtyre sulmeve.

Numri i viktimave është rritur me shpejtësi që nga e shtuna, kur shpërthimet pa përgjegjës deri më tani, goditën dy kryqëzimet më të ngarkuara në qendër të qytetit.

“Kemi konfirmuar 300 të vdekur nga këto shpërthime. Numri me siguri është ende më i lartë, sepse janë shumë persona që rezultojnë të zhdukur”, tha Abdikadir Abdirahman, drejtor i Shërbimit të Urgjencës në Mogadishu.

Aden Nur, një doktor në spitalin “Madina”, tha se vetëm ata kanë regjistruar 258 të vdekur, ndërsa një tjetër infermier, Ahmed Ali nga spitali “Osman Fiqi” tha për “Reuters” se 5 të pajetë ishin dërguar atje. Sipas Nur, 160 trupa nuk mund të identifikohen. “Ato u varrosën nga qeveria të dielën. Të tjerë u varrosën nga të afërm të tyre. Mbi 100 të plagosur kanë ardhur për ndihmë mjekësore këtu”, tha mjeku.

Disa prej të plagosurve janë evakuuar dhe transportuar me helikopterë për në Turqi, për ndihmë më të specializuar mjekësore, njoftuan zyrtarët.

Sulmet me bomba të së shtunës ishin më vdekjeprurëset që kur grupi i militantëve islamikë, “al Shabaab” nisi kryengritjen në vitin 2007. Megjithatë, as ai dhe as grupe të tjera xhihadiste nuk kanë marrë përsipër përgjegjësinë e këtyre sulmeve deri më tani. Por, “al Shabaab”, aleate me “al Qaeda”-n, ka qenë përgjegjëse e një sërë sulmesh në kryeqytetin e Somalisë, apo në zona të tjera të vendit.

Grupi ka nisur kryengritjen kundër qeverisë somaleze të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, si dhe ndaj aleatëve të saj në Unionin Afrikan, me synimin për të vendosur në Somali interpretimin më ekstrem të Islamit. Militantët u zmbrapsën nga Mogadishu në vitin 2011, e prej atëherë po humbasin gjithnjë e më shumë territore, për shkak të forcave paqeruajtëse të Unionit Afrikan dhe forcave të sigurisë së Somalisë.

Top Channel