Irani, Javad Zarif: I qëndrojmë paktit bërthamor, nëse i qëndron BE

16/10/2017 12:08

Strategjia e re e presidentit amerikan Trump ndaj Iranit po e orienton Republikën Islamike drejt Europës.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohamed Javad Zarif deklaroi se, në këtë pikë varet prej kontinentit të vjetër nëse vendi i tij do të vazhdojë t’i përmbahet ose jo marrëveshjes bërthamore. Deri tani, europianët i kanë hedhur poshtë kritikat e Trump ndaj paktit të nënshkruar në vitin 2015.

Tani, Zarif thotë se ky ka për të qenë edhe një test për europianët, sesa do të jenë ata në gjendje të luajnë në skenën politike botërore një rol të pavarur nga Shtetet e Bashkuara.

Shefi i diplomacisë iraniane shpenzoi dy vite në përpjekjet për ta bërë ujdinë të frytshme dhe, pavarësisht njoftimit të presidentit amerikan për t’u tërhequr prej saj, vazhdon ta konsiderojë atë një triumf të demokracisë, për shkak se firmëtarët e tjerë mbeten të palëkundur në pozicionin e tyre. Ajo që humbet në këtë rast, për Zarif është Amerika.

“Askush tjetër nuk do t’i besojë më angazhimit të administratës amerikane në negociata afatgjata, sepse ajo që ndodhi me këtë marrëveshje do të jetë gjithmonë kujtesë e veprimeve të këtij presidenti”, tha Mohamad Javad Zarif, ministër i Jashtëm i Iranit.

Kryeministrja britanike, Theresa May, dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u shprehën gjatë një telefonate se ato vazhdojnë ta mbështesin marrëveshjen atomike, ndërsa në krah, Amerikës i ka dalë Izraeli.

“Në rast se nuk ndryshon gjë, Irani pas pak vitesh do të ketë prodhuar një arsenal të vërtetë armësh bërthamore”, deklaroi kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili përshëndeti edhe prirjen e Trump për të vendosur sanksione ndaj Gardës Revolucionare të regjimit të ajatollahëve.

Top Channel