Zgjedhjet në Austri, fiton Kurz dhe Partia e Popullit

15/10/2017 21:45

Partia Konservatore e Popullit, e udhëhequr nga 31 vjeçari Sebastian Kurz do të jetë fituesja e zgjedhjeve të përgjithsme në Austri.

Sipas exit-polleve të para, pas mbylljes së kutive të votimit, Kurz do të bëhet lideri më i ri i një vendi në botë. Mediat austriake raportojnë se pritet që partia e popullit të marrë 30,2% të votave dhe pasohet nga Partia e Lirisë, e ekstremit të djathtë, me 26,8%, ndërsa në vendin e tretë renditen social-demokratët më 26,3%.
Nëse këto rezultatet do të jenë edhe zyrtare, partia e Kurz nuk do të arrijë dot shumicën e nevojshme, e vetme dhe mund të kërkojë një aleancë me Partinë e Lirisë, e cila bëri fushatë kundër emigracionit.

Kjo e fundit ishte një çështje kryesore gjatë fushatës elektorale dhe ofron mundësinë e mirë që Partia e Popullit të kthehet pas shumë vitesh në qeveri. Pas më shumë se një dekade, në qeveri me Social-demokratët, duket se konservatorët dhe e gjithë Austria po lëviz djathtas.

Kurz, ministri i jashtëm i Austrisë, e forcoi ndjeshëm partinë e tij të popullit, kur mori drejtimin e saj në maj. Ai premtoi mbylljen e rrugëve të migrantëve në Evropë, uljen e përfitimeve për refugjatët dhe mos akordimin e tyre për ata që jetojnë në Austri, prej më pak se 5 vjetësh.

Zgjedhjet në Austri u zhvilluan ndërsa çështja e emigrantëve është kryesore në shumë vende dhe ka sjellë zhvillime serioze elektorale në kontinent, përfshirë Gjermaninë, ku e djathta ekstreme pati sukses në zgjedhje.

Top Channel