Somali, qindra viktima nga sulmi në Mogadishu

15/10/2017 10:36

Është rënduar ndjeshëm bilanci i sulmit terrorist në kryeqytetin somalez Mogadishu.

Sipas autoriteteve lokale, të paktën 230 njerëz u vranë dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur, kur një kamion i ngarkuar me ekzploziv shpërtheu para një hoteli në qytet.

Autoritetet paralajmërojnë se shumë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe kjo nuk është ende shifra finale e viktimave. Ky është sulmi më vdekjeprurës terrorist në Somali, që kur grupi islamik Al-Shabab nisi fushatën e tij të dhunshme në vitin 2007.

Nuk është ende e qartë se kush e kreu sulmin, por autoritetet thonë se dyshimet bien pikërisht mbi Al-Shabab, i cili drejton botën e terrorit në Somali.

Presidenti somalez Abdullahi shpalli tre ditë zije kombëtare për viktimat e shpërthimit, ndërsa qindra njerëz mësohet së kërkojnë mes rrënojave të ndërtesave të shkatëruara, për të afërmit e tyre që janë zhdukur.

Një shpërthim i dytë po në Mogadishu, që pasoi me pak minuta të parin, i kushtoi jetën 2 personave dhe disa të tjerë u plagosën, edhe për faktin se ndodhi në një zonë jo shumë të populluar të qytetit.

Top Channel