BE, një milion euro kundër “aparteidit ushqimor”

15/10/2017 16:54

Bashkimi Europian do të vërë një milion euro në dispozicion të përpjekjeve për përmirësimin e analizave të produkteve ushqimore.

Disa prej anëtarëve europiano-lindorë të bllokut ankohen prej kohësh për atë që e përshkruajnë si “aparteid ushqimor” në radhët e tij, ndaj Brukseli ka dalë me disa propozime për rritjen e cilësisë së prodhimeve ushqimore në këto vende.

Për Komisioneren europiane të Mbrojtjes së Konsumatorëve, Vera Jourova, standardet e dyfishta në cilësinë e produkteve ndikojnë besimin e qytetarëve në tregun e përbashkët të BE-së.

“Mendoj se kemi një plan të mirë”, shtoi ajo në takimin me krerë të Polonisë, Hungarisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë, që të katërta këto, vende të cilat kanë shprehur shqetësim mbi faktin që konsumatorëve atje u ofrohen artikuj me cilësi më të ulet sesa ato në shtetet perëndimore të unionit.

“Bëhet fjalë për një plan të orientuar drejt rezultatit, e që synon goditjen e praktikës së padrejtë tregtare të shitjes së mallrave të së njëjtës firmë, por me cilësi të ndryshme”, citohet komisionerja nga “Reuters”.

Sipas ministres sllovake të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Gabriela Matecna, në takim u fol gjithashtu edhe për nevojën e krijimit të një metodologjie të unifikuar e të përbashkët testimi të ushqimeve dhe produkteve të tjera brenda Bashkimit Europian.

Në muajin shkurt, Agjencia hungareze e Sigurisë së Ushqimeve u ankua se çokollata e shitur në Hungari nuk është e njëjtë me atë që u ofrohet austriakëve. Edhe Agjencia sllovake për Veterinarinë dhe Sigurinë e Ushqimeve ka konstatuar ndryshime në 14 prej 33 artikujve të importuar në Sllovaki nga Austria.

Organizatat e të drejtave të konsumatorëve në Europën Lindore kanë konstatuar gjithashtu dallime edhe te pluhurat e larjes së rrobave dhe artikujt kozmetikë. Ndërsa njoftoi se Komisioni Europian do të ndajë një milion euro për këtë qëllim, presidenti i tij Jean-Claude Juncker përmendi ligjin, duke thënë se nuk duhet të ketë konsumatorë të dorës së dytë.

Top Channel