Irani: SHBA, gjithmonë e më shumë e izoluar

14/10/2017 01:34

Fuqitë globale, përfshirë aleatët kyç të Shteteve të Bashkuara thanë se do të mbështesin marrëveshjen bërthamore me Iranin, të cilën presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi ta shfuqizonte.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi të premten se nuk do ta certifikonte më atë. Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania deklaruan se pakti ishte në interes të sigurisë së përbashkët, ndërsa Bashkimi Europian theksoi se nuk i takonte një vendi të vetëm t’i jepte fund një marrëveshje e cila po funksiononte.  Presidenti iranian Hasan Rohani pohoi në reagimin e tij se Shtetet e Bashkuara po izoloheshin gjithmonë e më shumë.

“A mundet një president të anulojë një traktat ndërkombëtar me mendjen e tij? Me sa duket ai nuk e di se marrëveshja nuk është dypalëshe, vetëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit”, ka thënë Rohani.

Ujdia është firmosur në 2015-tën mes Iranit dhe 6 fuqive botërore, Britanise së Madhe, SHBA, Rusisë, Francës, Gjermanisë dhe Kinës. Ajo parashikon kufizimin e aktiviteteve bërthamore të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Por në fjalimin e ashpër të së premtes, i pari i Uashingtonit e quajti Iranin një ‘regjim fanatik’ dhe tha se ai kishte shkelur kushtet e marrëveshjes. Ai e akuzoi republiken Islamike si sponsor të terrorizmit dhe propozoi sanksione të tjera.

Vëzhguesit ndërkombëtar pretendojnë se Irani i është përmbajtur zotimeve të marreveshjes. Kina nuk ka reaguar pas fjalimit të Trumpit por më herët i ka bërë thirrje SHBA të ruajë ujdinë. Ndërsa ministria e Jashtme ruse u shpreh se ndjente keqardhje nga vendimi i presidentit amerikan, por shtoi se nuk priste që ai të pengonte implementimin e marrëveshjes.

Top Channel