Trump firmos urdhrin ekzekutiv për kujdesin shëndetësor

13/10/2017 00:00

I frustruar nga përpjekjet republikane për të mbajtur në këmbë “Obamacare”, presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që rrëzon ligjin e shëndetësisë që mbante firmën e paraardhësit të tij, që iu garantonte sigurime 20 milionë amerikanëve.

Trump prezantoi planet për të lejuar bizneset e vogla dhe individët, që të blejnë sigurime që nuk plotësojnë kërkesat minimale të “Obamacare”.

“Shtatë vite më parë, demokratët e Kongresit goditën sistemin amerikan të Kujdesit Shëndetësor, duke iu imponuar makthin e ‘Obamacare’ amerikanëve. Ai ka qenë me të vërtetë një makth”, tha Trump në ceremoninë e nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë.

Ai nënvizoi se urdhri përfaqëson hapin e parë për t’iu garantuar ndihmë miliona amerikanëve. Trump tha se ndryshimet do të shtojnë zgjedhjet në blerjen e sigurimeve shëndetësore, mund të lejojnë bashkëpunëtorët të bëhen bashkë dhe të blejnë polica sigurimesh përtej kufijve shtetërorë, e do të ketë po ashtu çmime më të ulëta duke lejuar polica afatshkurtra të sigurimit shëndetësor, që mbulojnë më pak fusha.

Por kritikët thonë se e gjithë kjo nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do t’i ngrejë më shumë çmimet, duke dëmtuar amerikanët e moshuar, ose ata që ndodhen në kushte jo të mira shëndetësore.

Urdhri ekzekutiv iu kërkon agjencive të rishohin dhe rishkruajnë rregullat për ndryshimet që propozon, por ai mund të sfidohet në gjykatë, nga kundërshtarët që vënë në pikëpyetje faktin nëse presidenti ka apo jo autoritetin ligjor për të bërë këto ndryshime.

Plani “Trump” lejon kompanitë e sigurimit dhe agjencitë e tjera të shesin polica më të lira, e që ofrojnë më pak mbulim nga sa kërkohet aktualisht nga “Obamacare”, duke përjashtuar për shembull sigurimin për shtatzënitë apo abuzimin me substancat narkotike.

Amerikanët mund të blejnë polica afatshkurtra për periudha më të gjata, ndërsa siguruesit mund të ngarkojnë grupet dhe bizneset me pagesa për punonjësit e sëmurë, më shumë se të tjerët.

Ata që përfitojnë nga reforma janë amerikanët e shëndetshëm pa fëmijë, që nuk fitojnë shumë parà. Për ta, një policë sigurimi bazë do të jetë më e lirë çdo muaj, por ata përballen me shpenzime më të mëdha në rast se sëmurën.

Ata që humbasin janë amerikanët e moshuar me shpenzime të mëdha mjekësore. Disa e kanë duartrokitur planin, por të tjerë kanë paralajmëruar se ai do të rrisë kostot e kujdesit shëndetësor. Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e cilësoi atë një sabotim të Aktit të Kujdesit të Përballueshëm Mjekësor, ose siç njihet ndryshe “Obamacare”.

Top Channel