Tregtia post-Brexit, BE ‘diskuton’ pa praninë e Londrës

13/10/2017 00:00

Bashkimi Evropian është gati të nisë përgatitjet për negociatat tregtare post Brexit me Britaninë e madhe, ndërsa refuzon që këtë çështje ta diskutojë me qeverinë në Londër.

Në një draft dokument të zbuluar nga mediat shkruhet se 27 vende e BE, pa Britaninë, duhet të nisin bisedimet për tregtinë mes tyre, ndërsa zyrtarët në Bruksel përgatisin detajet. Sigurisht që ky draft dokument mund të ndryshohet, por ai sinjalizon izolimin britanik dhe tërthorazi e mbase me dashje, i dërgon një mesazh Londrës së duhet të pranojë kushte e jo të vendosë.

Mes rreshtave këtë e tha edhe shefi i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker, i cili deklaroi se mungesa e kompromisit për angazhimin financiar të Britanisë po pengon progresin, duke shtuar se Londra duhet të paguajë.

Dokumenti i publikuar nga mediat flet për bisedime për një periudhë tranzicioni dhe raportin e ardhshëm që duhen bërë sa më shpejt dhe parashikon se në rast të hapave pozitivë nga Britania, BE do të reagojë mjaft shpejt.

Por ai gjithashtu thotë se që unioni të jetë plotësisht gati, liderët e BE do t’i kërkojnë kryenegociatorit Michel Banier që të nisë përgatitjet për tranzicionin, pa nisur diskutimet direkte me BE-në për këtë çështje. Temat që kanë bllokuar progresin në bisedime janë kufiri me Irlandën, të drejtat e qytetarëve evropianë në Britani dhe mbi të gjitha fatura e divorcit që Londra duhet të paguajë.

Top Channel