Zjarret në Kaliforni, rëndohet bilanci i viktimave

12/10/2017 00:00

Pamjet e realizuara nga ajri me dronë tregojnë përmasat e valës së shkatërrimeve që kanë lënë pas zjarret e këtyre ditëve në Kaliforni.

Në filmime shihet sesi janë shkrumbuar lagje të tëra të kontesë Sonoma, një zone ku raportohen të paktën 11 të vdekur e bilanci i viktimave mund të mos mbyllet me kaq.

“Këtu duket sikur ka shpërthyer një bombë atomike”, thonë banorët që u detyruan të braktisin shtëpitë e çdo gjë tjetër për të shpëtuar jetën.

“Shtëpitë që ngriheshin këtu përpara ishin vërtet të bukura. Tani nuk të sheh syri veçse shkrumb”, thotë Kevin Ridling, banor.

“Këtu nuk ka mbetur më asgjë në këmbë. Muret, çatia, janë djegur të tilla. S’ka më asgjë”, shprehet Raymond Signorello, pronar i “Signorello Estate”

Bilanci total i vdekjeve ka mbërritur në 23, ndërsa të zhdukurit janë më shumë se 285. Është e paqartë sidoqoftë nëse të gjithë këta njerëz kanë pësuar vërtetë diçka nga zjarret apo janë larguar pa i lajmëruar autoritetet.

Arsyeja e zjarreve masive që rrënuan rajonin verior të prodhimit të verës nuk dihen ende me saktësi, por mendohet se ato mund të jenë shkaktuar nga rrëzimi i linjave të energjisë prej erërave të fuqishme, e më pas janë ushqyer sa prej këtyre të fundit, aq edhe prej motit të thatë e të nxehtë.

Top Channel