Rajoy: Duam qartësim nga Katalunja; Pakt me socialistët për reformë kushtetuese

11/10/2017 00:00

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy ripërsëriti kërkesën e tij ndaj udhëheqësit të Katalunjës për të qartësuar nëse e ka deklaruar rajonin të pavarur apo jo, por këtë e bëri duke shpalosur edhe kërcënimin se qeveria qendrore mund të kufizojë autonominë katalanase, nëse është shpallur pavarësia.

Në fjalimin e tij përpara Parlamentit spanjoll, pasi mblodhi fillimisht me urgjencë kabinetin qeveritar, Rajoy tha se përgjigjja e presidentit Puigdemont do të ishte vendimtare dhe jetike për të vendosur “ato që do të vijnë përgjatë ditëve në vijim”.

Fjalimi i kryeministrit shënoi herën e parë që ai ka thënë hapur se, aktivizimi i nenit 155 të Kushtetutës spanjolle, që i lejon qeverisë të marrë kontrollin mbi rajonet, do të ishte hapi i radhës nëse autoritetet katalanase nuk tërhiqen nga veprimet e tyre të paligjshme.

Qeveria qendrore “kërkon t’u ofrojë siguri qytetarëve të saj” dhe “është e domosdoshme të rikthehet qetësia dhe siguria”, tha ai pas takimit të kabinetit.

Rajoy bëri edhe një kërkesë në kundërpërgjigje të shpalljes së një dite më parë nga Puigdemont, se ai po procedonte me deklaratën e pavarësisë, por e pezullonte atë në mënyrë që t’i jepte hapësirë disajavëshe negociatave.

Edhe udhëheqësi i opozitës, socialisti Pedro Sanchez tha se dy partitë kryesore politike në Spanjë kanë rënë dakord të rinegociojnë ligjet mbi autonominë, pas lëvizjes së Katalunjës për pavarësi. Ai tha se është arritur një marrëveshje me Rajoyn për të hapur bisedimet në 6 muajt e ardhshëm, për reformimin e Kushtetutës, që do të lejonte ndryshimin e mënyrës sesi Spanja qeveris 17 rajonet e saj, përfshi Katalunjën. Sanchez tha se partia e tij kërkon ndryshimin e Kushtetutës, “për të mundësuar që Katalunja të mbetet pjesë e Spanjës” dhe se Partia Socialiste mbështet thirrjet e Rajoyt për qartësim të situatës nga Puigdemont.

Qeveria qendrore në Madrid ka lënë pak të kuptohet deri më tani se është e gatshme të bisedojë, teksa ka thënë se nuk e pranon në mënyrë absolute deklaratën e pavarësisë, pasi nuk e konsideron referendumin apo rezultatet e tij si të ligjshme.

Megjithatë, në fjalimin e Rajoyt përpara Parlamentit u theksua qartë se ai ka qenë gjithnjë i gatshëm për dialog, por autoritetet katalanase kërkonin “ose referendum, ose referendum”. “Ndaj, të mos përpiqen të gjejnë fajtorë të tjerë, por të kuptojnë se kush janë fajtorët e vërtetë në gjithë këtë situatë krize, më e rënda gjatë demokracisë sonë”, deklaroi Rajoy.

Top Channel