Zjarre në Kaliforni, 10 viktima. Digjen vreshtat

10/10/2017 00:00

Pjesë të tëra të rajonit të Kalifornisë, të njohur për prodhimin e verërave, janë shkatërruar nga zjarret që kanë marrë të paktën 10 jetë njerëzish e po vazhdojnë të përhapen me shpejtësi.

Në zonë kanë nisur evakuimet masive, ndërsa numri i pronave të shkrumbuara llogaritet në 1.500. Shtatë nga të vdekurit janë vetëm në kontenë Sonoma, nga ku janë larguar 20 mijë vetë, më konkretisht nga Napa e Yuba.

Guvernatori i Kalifornisë u detyrua të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.

Janë të paktën 14 vatra zjarresh aktive, që po digjen në 8 konte kaliforniane. Ato kërcënojnë me mijëra shtëpi, ndaj evakuimi është një domosdoshmëri, thuhet në deklaratën e zyrës së guvernatorit.

Përpos vdekjeve, ka dhe raporte për të lënduar, ndërsa një numër njerëzish rezultojnë të zhdukur. Banorët janë larguar me makina duke kaluar përmes ferrit të flakëve, të nisura mbrëmjen e së dielës në kushte ende të pazbardhura nga autoritetet.

Kushtet atmosferike, të favorshme për zjarret, po i pengojnë përpjekjet e zjarrfikësve, që kërkojnë ndihmën e kolegëve nga pjesë të tjera të shtetit. Flakët po përhapen frikshëm për shkak të një kombinimi të erërave të forta, lagështisë së ulët në ajër dhe motit të nxehtë e të thatë.

Me dhjetëra persona që punonin nëpër vreshta u arrit të shpëtoheshin gjatë natës me helikopterë. Ky konsiderohet një prej shpërthimeve më shkatërrimtare të zjarreve, që Kalifornia ka parë ndonjëherë.

FOTO GALERI
1/12
14 vatra zjarri që po përhapen me shpejtësi, kanë konsumuar një sipërfaqe prej 57 mijë hektarësh dhe kanë detyruar evakuimin e mbi 20 mijë personave nga banesat e tyre në Kaliforni.

Top Channel