Turqia zbut tonet: Përmirësim marrëdhënieve me Gjermaninë

10/10/2017 00:00

Turqia ka zbutur retorikën e ashpër kundër Gjermanisë dhe Angela Merkelit dhe sipas Ankarasë, tashmë nuk ka asnjë arsye për të pasur probleme mes dy vendeve.

Në një intervistë të dhënë për “Der Spiegel”, ministri i Jashtëm turk, Mevult Çavusoglu komentoi raportet zyrtare mes Berlinit dhe Ankarasë, që kulmuan në akuza dhe kundërakuza të ndërsjella gjatë fushatës elektorale në Gjermani.

“Turqia vetë nuk e ka kërkuar asnjëherë përplasjen me Gjermaninë. Presidenti Erdogan u është përgjigjur sulmeve që kanë ardhur nga Gjermania, ndaj, nëse ju afroheni me një hap, ne do të afrohemi me dy”, ka deklaruar Çavusoglu.

Kryediplomati turk thotë se qeveria gjermane duhet të mësojë të respektojë Turqinë, ndërsa shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me një ministër të Jashtëm turko-gjerman, si Cem Ozdemir. Ozdemir është kreu i “Të Gjelbërve” gjermanë dhe kritik i ashpër i Erdogan.

Një javë më parë, Kryeministri turk, Binali Yildirim foli për “një kapitull të ri në marrëdhëniet me Berlinin dhe përmirësimin e tyre”.

Top Channel