Presione kundër pavarësisë së Katalunjës

10/10/2017 00:00

Presidenti katalanas Carles Puigdemont përballet me trysninë në rritje për të hequr dorë nga planet e shkëputjes nga Spanja.

Ai po përgatitet të mbajë një fjalim kyç përpara Parlamentit rajonal, e mendohet se do të shpallë në mënyrë të njëanshme pavarësinë, pas referendumit të shumëdiskutuar të 1 tetorit.

Franca dhe Gjermania kanë shprehur që të dyja mbështetje për Spanjën e bashkuar. Por edhe vet kryetarja e Bashkisë së Barcelonës e nxiti Puigdemontin të mos deklarojë shkëputjen, e i bëri thirrje edhe Mariano Rajoyt, nga ana tjetër, të mos e çojë në mendje kontrolin e drejtpërdrejtë nga Madridi.

“Iu kërkoj të dyve të mos marrin vendime, që mund të hedhin në erë mundësinë e një hapësire për dialog dhe ndërmjetësim. Ky është veprimi më i guximshëm që mund të bëjnë tani”, tha Ada Colau, kryetare e Bashkisë së Barcelonës.

Udhëheqësi i partisë opozitare socialiste në Spanjë, Pedro Sanchez ishte në Barcelonë, ku iu tha gazetarëve se do ta mbështesë ndërhyrjen e qeverisë spanjolle përballë çdo përpjekjeje për të shkatërruar harmoninë sociale, nëse pavarësia shpallet njëanshmërisht.

Madridi zyrtar kërcënon në këtë pikë të pezullojë autonominë e rajonit verilindor. Presioni ekonomik po rritet gjithashtu mbi kreun katalanas, pasi kompanitë e mëdha po vazhdojnë t’i largojnë zyrat e tyre nga rajoni.

Firma e infrastruktures “Abertis”, grupi i pasurive të patundshme “Inmobiliaria Colonial” dhe operatori telefonik “Cellnex” njoftuan që të gjithë se kanë ndërmend të zhvendosen në Madrid.

Top Channel