“Hacker”-at e Penianit vjedhin planin amerikan për vrasjen e Kim Jong-un

10/10/2017 00:00

“Hacker”-a nga Koreja e Veriut raportohet t’i kenë vjedhur një numër të madh dokumentesh sekrete ushtarake Jugut fqinj, përfshirë edhe një plan për vrasjen e udhëheqësit të saj, Kim Jong-un.

Informacioni besohet se vjen nga vet Ministria koreano-jugore e Mbrojtjes.

Dokumentet e kompromentuara përfshijnë plane luftarake të hartuara bashkërisht nga Uashingtoni dhe Seuli, si dhe raportime të krerëve të lartë ushtarakë të forcave aleate.

Në mesin e tyre ka edhe informacione mbi centrale të rëndësishme energjetike dhe baza ushtarake.

Vet Ministria e Mbrojtjes në Korenë e Jugut nuk ka pranuar deri tani të bëjë një koment zyrtar mbi çështjen.

Në total, nga Qendra e të Dhënave të Integruara të Mbrojtjes janë vjedhur rreth 235 GB (gigabajt) dokumente ushtarake, e 80% e tyre ende nuk janë identifikuar ende.

Episodi ka ndodhur shtatorin e vitit të kaluar, e në maj, Seuli deklaroi se i është grabitur një sasi e madhe të dhënash, por vetëm tani është nisur të mësohet se çfarë përmbanin dokumentet e rëna në duart e “hacker”-ave të Veriut.

Peniani, sidoqoftë, i mohon të tilla pretendime.

Top Channel