Francë, grevë kombëtare e sektorit publik kundër Macron

10/10/2017 00:00

Miliona punonjës të sektorit publik në Francë po marrin pjesë në një grevë kombëtare njëditore, si protestë ndaj reformave ekonomike të presidentit Emmanuel Macron. Si pasojë e grevës janë mbyllur shumë shkolla, janë kufizuar shërbimet hekurudhore dhe janë anuluar një e treta e fluturimeve.

Qeveria franceze planifikon të shkurtojë 12 mijë vende pune në sektorin publik, gjatë 5 viteve të ardhshme.

Greva pason protestën e muajit të shkuar, që u bë kundër ligjeve të reja të punësimit. Greva e së martës u organizua nga 9 sindikatat e sektorit publik në vend, në formë solidariteti kundër shkurtimit të vendeve të punës dhe planeve të tjera për të ngrirë pagat.

Sindikatat që përfaqësojnë 5.4 milionë punonjës thanë se, demonstratat dërgojnë një mesazh të qartë se ata nuk janë aspak dakord me planet e Macron.

Marshime në kuadër të grevës, veç Parisit u zhvilluan në qytete si Nantes dhe Lyon. Sipas sindikatave, strategjia e masave ekstreme që po aplikohet nga Macron vë në dyshim ekzistencën e sektorit publik.

Përfaqësues të demonstruesve thanë se janë të shqetësuar nga mundësia e transferimit të shërbimeve, si çerdhet dhe spitalet, në duart e sektorit privat. Protestës iu bashkuan edhe studentë të shumtë, që thonë se shkurtimet në njerëz dhe fonde prekin drejtpërdrejt edhe cilësinë e arsimit.

Top Channel