UNESCO në vështirësi, nisin zgjedhjet për kreun e ri

09/10/2017 00:00

“E vjetëruar, e politizuar, histori e rreme”, këto janë vetëm disa prej kritikave për UNESCO-n, që nxjerrin në pah sesi gjeopolitika përçarëse ka paralizuar punën në agjencinë e Trashëgimive Botërore.

Kushdo që do të fitojë garën për të zëvendësuar Irini Bokovan, si shefe e organit kulturor dhe edukativ të Kombeve të bashkuara, javën e ardhshme, duhet të përpiqet të rikthejë rëndësinë e një agjencie që u ngrit nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, por që gjithnjë e më shumë është dëmtuar nga rivalitetet rajonale dhe mungesa e parave.

Si shenjë e asaj që tregon sesa toksike janë bërë marrëdhëniet, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u tha udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, muajin e shkuar, se UNESCO po promovonte historinë e rreme.

Ai i referohej përcaktimit të Hebronit dhe dy vendeve të kultit në zemër të tij, si sajt i rrezikuar palestinez i Trashëgimisë Botërore. Armiqësitë izraelito-palestineze, sidoqoftë janë vetëm një nga problemet me të cilat organi i Kombeve të Bashkuara po përballet.

Japonia ka kërcënuar se do të tërheqë pagesat e saj, pasi UNESCO përfshiu dokumente kineze mbi masakrën e Nanjingut të vitit 1937, në programin e saj “Kujtimet e botës”.

Organizata me qendër në Paris, që promovon edhe edukimin global dhe mbështet lirinë e shtypit, mbledh sot Këshillin e saj drejtues për të nisur votimin mbi 7 kandidatë.

Azerbajxhani, Kina, Egjipti, Franca, Libani, Katari dhe Vietnami kanë paraqitur kandidatë. Ndërsa Iraku dhe Venezuela i tërhoqën kandidatët e tyre, e për pasojë nuk ka një pretendent kryesor.

Gjendja e UNESCO-s u përkeqësua në vitin 2011, kur Shtetet e Bashkuara anuluan kontributet e tyre financiare, në shenjë proteste ndaj vendimit për t’iu dhënë palestinezëve anëtarësim të plotë.

UNESCO është detyruar kështu të reduktojë programet dhe të ngrijë punësimet. Votimi, sidoqoftë mund të shkojë deri në 5 raunde. Nëse në përfundim dalin dy finalistë, me vota të njëjta, atëherë hidhet lotari.

Top Channel