Skenarët mbi të ardhmen e Katalunjës

09/10/2017 00:00

Nga shkëputja e menjëhershme, te ndërhyrja ushtarake: 4 janë për ekspertët skenarët e Katalunjës, në vazhdën e referendumit të pavarësisë.

I pari, kreu rajonal Carles Puigdemont shpall mëvetësinë nga Spanja, duke aplikuar ligjin mbi të cilin u mbështet edhe referendumi i 1 tetorit, i paligjshëm për Madridin.

Linjën e ashpër e mbështet lëvizja e drejtuar nga Jordi Sanchez (ANC) dhe Jordi Cuixart (Shoqata Omnium Cultural), për të cilët Republika katalanase lind automatikisht nga rezultati i votimit të një jave më parë.

Por (2) Puigdemont mund të kufizohet edhe me komunikimin zyrtar bërë Parlamentit, mbi atë çfarë arriti referendumi dhe triumfin e nacionalistëve.

Nga ai moment do të duhet të kalojnë 48 orë, sipas ligjit katalanas, për deklarimin e pavarësisë, por krerët e ekzekutivit mund të kërkojnë më shumë kohë në dispozicion, mbase disa javë për t’i dhënë hapësirë një ndërmjetësimi ndërkombëtar, edhe pse kompromisi duket tejet i vështirë.

Ndërkohë, tensioni në Katalunjë do të vazhdonte të ngrihej dhe perspektiva ekonomike e rajonit do të përkeqësohej me largimin e sipërmarrjeve të tjera.

Kryeministri spanjoll (3) Mariano Rajoy mund të aktivizojë nenin 155 të Kushtetutës, që parashikon masa kundër një komuniteti autonom rebel. Për këtë, Rajoyt nuk i nevojitet mbështetja e rivalëve socialistë. Mjafton një vendim i Senatit, ku Partia e tij Popullore ka shumicën.

Për momentin, (4) ndërhyrja e ushtrisë dhe arrestimi i Pudgdemont janë skenarë që mbahen larg. Jo vetëm sepse poshtërimi i shoqërisë katalanase do të përbënte politikisht një gabim të madh, e do të indinjonte komunitetin ndërkombëtar, por edhe sepse Forcat e Armatosura spanjolle, të transformuara nga ish-kreu i qeverisë “Zapatero” për t’iu përshtatur më mirë misioneve jashtë kufijve, nuk i përshtaten shumë operacioneve të kësaj natyre. Përdorimi i forcës do të mund t’i delegohej vetëm Gardës Civile dhe Policisë Kombëtare.

Top Channel