Masat e reja për emigrantët, Shtëpia e Bardhë prezanton planin

09/10/2017 00:00

Shtëpia e Bardhë parashtroi masat, përfshirë këtu financimin e murit të shumëdiskutuar me Meksikën, për të cilat presidenti Donald Trump këmbëngul të jenë pjesë e çdo marrëveshjeje të rishikuar mbi të rinjtë emigrantë pa dokumente qëndrimi.

Trump i mëshon gjithashtu edhe idesë së përshpejtimit të deportimeve dhe punësimit të mijëra punonjësve të tjerë të emigracionit. Muajin e kaluar, me nismën e tij iu dha fund programit “DACA”, i cili merrte në mbrojtje gati 800 mijë emigrantë.

Lista e parimeve, siç e quan kreu i administratës amerikane, iu dorëzua Kongresit të dielën. Ajo përfshin:

– ndërtimin e murit në kufi me Meksikën,
– punësimin e 10 mijë personave shtesë pranë Zyrës së Emigracionit dhe Doganave, si dhe atë të 1.000 avokatëve.
– 370 gjykatës emigracioni plus, si dhe 300 prokurorë të tjerë federalë.

Lista kërkon po ashtu t’iu ndalohet emigrantëve që të tërheqin në Shtetet e Bashkuara të afërm jo të ngushtë, e këmbëngul që kompanitë të përdorin programin “E-Verify” për të mos iu lejuar punësimin emigrantëve të paligjshëm.

“Këto prioritete janë thelbësore për zbutjen e pasojave ekonomike dhe ligjore ndaj dhënies së statusit përfituesve të ‘DACA’-s”, u shpreh personi i ngarkuar për çështjet legjislative në Presidencë, Marc Short.

Programi “DACA” ishte një skemë e krijuar në vitin 2012 gjatë presidencës së Barack Obamës për mbrojtjen nga deportimi të emigrantëve të rinj, të tërhequr në territorin amerikan në mënyrë të paligjshme.

Falë kësaj skeme, ata mund të aplikonin për punë dhe leje studimi, por kritikët këmbëngulnin se nisma e Obamës nuk ishte gjë tjetër, veçse një lloj amnistie për emigrantët ilegalë.

Top Channel