Kim Jong-un kremton 20-vjetorin e babait, promovon të motrën

09/10/2017 00:00

Mijëra koreano-veriorë u mblodhën në sheshin qendror të Penianit për të kremtuar 20-vjetorin e zgjedhjes së kreut të ndjerë Kim Jong-il, si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Punëtorëve.

Videoja e ofruar “Reuters”-it nga agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA” tregon një numër të madh njerëzish të grumbulluar në shfaqjen e hapur, si dhe disa kërcime festive, por ajo sidoqoftë nuk është verifikuar dot në mënyrë të pavarur.

Kim Jong-il vdiq nga ataku kardiak dhjetorin e vitit 2011, pasi e kishte udhëhequr për 17 vite vendin komunist të izoluar ndërkombëtarisht. Pamjet filmike të kremtimeve në nder të tij publikohen pak pasi udhëheqësi i ri, Kim Jong-un caktoi të motrën në strukturën më të lartë të pushtetit komunist.

Gjatë një takimi të Komitetit Qendror, Kim Yo-jong u emërua anëtare plotësuese e Byrosë politike, forumi i lartë vendimmarrës i kryesuar nga vet 33-vjeçari. Ekspertët e shohin një lëvizje të tillë si dëshminë e qartë të faktit që, përgjegjësitë e saj janë më të rëndësishme nga sa mendohej deri tani dhe se familja Kim i ka konsoliduar edhe më shumë pozitat e saj.

Ndërkohë, Bill Emmott, ish-kryeredaktor i revistës “The Economist”, ka paraqitur një skenar, sipas të cilit Kina do të orkestronte një aneksim të Koresë së Veriut, duke i dhuruar kështu Uashingtonit dhe botës një gadishull korean pa armë bërthamore.

Një lëvizje e tillë, sipas Emmott, jo vetëm do të konsolidonte praninë e Pekinit në rajon, por do të shtonte edhe mundësinë për forcimin e pozitës gjeopolitike të Kinës, duke rritur statusin e saj si një fuqi globale, e duke i ofruar madje edhe mundësinë e reputacionit të një shteti që vendos paqen.

Top Channel