Uragani “Nate” paralizon bregdetin jugor të SHBA-ve

08/10/2017 00:00

Uragani “Nate” ka shkaktuar erëra të furishme, reshje të dendura shiu dhe një kërcënim të sërishëm për shtetet bregdetare të Amerikës në gjirin e Meksikës.

Stuhia, erërat e së cilës përllogariten në një maksimum prej 137 km në orë, preku territorin amerikan pranë grykëderdhjes së lumit Mississippi në Louisiana, në orët e vona të së shtunës. Tashmë që po drejtohet më për nga veriu, ajo ka prekur sërish tokën në Biloxi të Mississippit.

Jo vetëm Louisiana dhe Mississippi, por edhe Alabama e disa pjesë të Floridës lëshuan më herët paralajmërime dhe urdhra evakuimi, mes frikës për një rritje të shpejtë të nivelit të ujërave.

Uragani “Nate” shkaktoi të paktën 25 viktima në Nikaragua, Kosta Rika dhe Honduras. Stuhia tropikale u përforcua më pas në një uragan të kategorisë së parë, e me këtë forcë iu drejtua Shteteve të Bashkuara.

Edhe pse jo aq i fuqishëm sa dy uraganët e tjerë të muajit të kaluar, “Maria” dhe “Irma”, zyrtarët kanë paralajmëruar se “Nate” është një stuhi shumë e lëvizshme, që mund të shkaktojë përmbytje apo rrëshqitje dherash në zonat e ulëta.

Kryebashkiaku i Gulfportit, shumë pranë Biloxit ku preku për herë të dytë tokën uragani “Nate”, tha për BBC-në se stuhia nuk dukej aq e rrezikshme sa pritej, e mendon se shkatërrimi do të jetë i përmasave “minimale”.

Presidenti amerikan Donald Trump, të shtunën shpalli gjendjen e emergjencës në Louisiana, duke i lejuar shtetit të kërkojë ndihma federale në parapërgatitje apo edhe përpjekjet e mundshme për lehtësimin e barrës nga kapriçot e motit. Në Alabama, guvernatori republikan Kay Ivey nxiti banorët të merrnin të gjitha masat përballë erërave të forta.

Në total, 5 porte me dalje në gjirin e Meksikës janë mbyllur. Edhe platformat e naftës dhe gazit natyror në këtë zonë kanë evakuuar stafin dhe kanë ndalur prodhimin.

Top Channel