Rajoy: Deklarata e pavarësisë së Katalunjës, pa efekte

08/10/2017 00:00

Çfarëdolloj deklarate pavarësie të bëhet nga Katalunja, nuk do të ketë efekt! Ky është paralajmërimi i kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy, i cili ka shtuar më tej se nuk e përjashton mundësinë që t’ia pezullojë autonominë e zgjeruar rajonit katalanas.

Në një intervistë për gazetën “El Pais”, Rajoy refuzoi gjithashtu edhe ndërmjetësimin për të zgjidhur këtë situatë krize. Gjatë së shtunës, mijëra njerëz u mblodhën në protesta mbarëkombëtare, në mbështetje të unitetit të vendit.

Demonstratat ishin në kundërpërgjigje të referendumit të diskutueshëm të mbajtur të dielën e kaluar, mbi pavarësinë e Katalunjës. Rezultatet përfundimtare të referendumit në rajonin verilindor tejet të pasur, treguan se 90% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh votuan pro shkëputjes, por pjesëmarrja ishte vetëm 43%.

Madje ka pasur edhe pretendime për parregullsi të shumta, ndërsa shumë kuti votimi u sekuestruan nga policia spanjolle gjatë bastisjeve të qendrave të votimit për të mos lejuar mbarëvajtjen e procesit. Afro 900 persona u plagosën, teksa policia përpiqej të zbatonte urdhrin e Gjykatës Kushtetuese spanjolle për të ndaluar votimin, duke shpërndarë votuesit. Edhe 33 policë mbetën gjithashtu të plagosur.

Në intervistën për “El Pais”, Rajoy u shpreh se “qeveria do të sigurohet se, çfarëdolloj deklarate pavarësie që të bëhet, të mos çojë askund”.

I pyetur nëse ishte i përgatitur të aktivizonte nenin 155 të Kushtetutës spanjolle, i cili i lejon Parlamentit kombëtar të ndërhyjë në drejtimin e një rajoni autonom, Rajoy u shpreh:

“Nuk përjashtoj aspak, asgjë që është brenda kornizave ligjore”.

Kryeministri theksoi më tej se planifikon të ruajë forcat shtesë policore, të dërguara në Katalunjë përpara referendumit, derisa kriza të marrë fund njëherë e mirë. Por në fund tha edhe diçka në lidhje me qeverinë spanjolle. Ai nuk do të thërrasë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për shkak të krizës politike.

Presidenti katalanas, Carles Puigdemont pritet t’i adresohet Parlamentit rajonal të martën në orën 18 të pasdites, pasi Gjykata Kushtetuese e Spanjollës pezulloi më herët seancën plenare të planifikuar për të hënën.

Top Channel