“Nate” godet SHBA, Trump shpall gjendjen e emergjencës

08/10/2017 00:00

Stuhia “Nate” u përplas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke sjellë erëra të forta, shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje në bregun e gjirit të Meksikës.

“Nate” preku tokën si uragan i kategorisë se parë pranë grykëderdhjes së lumit Misisipi në Luizianë, mbrëmjen e se shtunës, me erëra maksimale prej 137 km në orë.

Pasi preku tokën për herë të dytë në Biloxi të Misisipit u dobësua në stuhi tropikale. Megjithatë autoritetet paralajmërojnë se ajo vazhdon të mbetet e rrezikshme, veçanërisht për zonat e ulëta.

Luiziana, Misisipi, Alabama dhe pjesë të Floridas lëshuan më herët paralajmërime dhe urdhra evakuimi mes frikës së rritjes së shpejtë të nivelit të detit. Nate shkaktoi të paktën 25 viktima në Nikaragua, Kosta Rika dhe Honduras.

Pamjet televizive treguan rrugë e autostrada të përmbytura në Biloxi, por demet atje e në qytetin e afërt të Gulfport nuk pritet të jenë të rënda. Megjithatë kreu i emergjencave civile në Misisipi tha se kushtet mund të përkeqësoheshin ndërsa Nate lëvizte më në brendësi. Në jug të Alabamës mbi 5 mijë vetë kanë mbetur pa energji elektrike.

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli gjendjen e emergjencës për Luizianën, çka i jep mundësinë këtij shteti të kërkojë ndihmë federale gjatë përgatitjeve e gjithashtu operacioneve të mundshme shpëtimi.

Top Channel