Burnham dhe Macron në “një mendje”, bien dakord të shtojnë masat kundër kalimeve ilegale në Kanalin Anglez “Katalunja do ta shpallë të hënën pavarësinë nga Spanja”. Kështu është shprehur një burim i qeverisë rajonale për “Reuters”. Iberikët, pjesë e Bashkimit Europian, duket se po i afrohen gjithnjë e më shumë shpërbërjes, që kërcënon jo vetëm themelet e demokracisë së saj të re, por edhe tregjet financiare.
“Partitë pro pavarësisë, që kontrollojnë parlamentin rajonal kanë kërkuar mbajtjen e një seance debati dhe votimi ditën e hënë mbi deklaratën e pavarësisë”, thotë më tej burimi. Deklarata pritet të pasojë votimin, edhe pse ende nuk dihet me saktësi se kur do të ndodhë.
Presidenti katalanas, Carles Puigdemont deklaroi më herët për BBC-në se qeveria e tij do t’i kërkonte parlamentit rajonal deklarimin e pavarësisë, pas votimit në referendumin e së dielës, të cilin Madridi e deklaronte dhe e rideklaroi si të paligjshëm, përfshi edhe përmes Mbretit Felipe VI.
“Këto gjëra do të kryhen pasi ne të sigurojmë të gjitha votat e nevojshme brenda fundjavës, e më pas do të veprojmë në fundjavë ose fillim të javës së ardhshme”, tha burimi në fjalë.
Kriza kushtetuese në Spanjë, vendi me ekonominë e katërt më të madhe të Eurozonës, ka tronditur monedhën vendase dhe aksionet e obligacionet e Spanjës, duke rritur ndjeshëm koston e borxhit të Madridit.
E pavarësisht deklaratave për BBC-në, udhëheqësi katalanas pritet të japë një tjetër deklaratë mbrëmjen e sotme në orën 21, plot 24 orë pas fjalimit të Mbretit Felipe VI, pasi një komitet ndërpartiak i parlamentit rajonal të mblidhet për të rënë dakord mbi datën (që me shumë gjasë do të jetë e hëna) për një seancë plenare mbi pavarësinë.
Kryeministri konservator spanjoll, Mariano Rajoy, i cili ka mbajtur një linjë të ashpër ndaj kësaj çështjeje, përballet me një sfidë tejet të madhe për të penguar pavarësinë e katalanasve pa shkaktuar trazira të mëtejshme.
Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk e mbështet argumentin kushtetues të tij, por disa europarlamentarë kanë kritikuar ashpër taktikat e tij. Tusk ka apeluar ndaj Rajoyt të gjejë mënyra të tjera për të shmangur përshkallëzimin e situatës në Katalunjë dhe përdorimin e forcës.
Top Channel