Trump viziton Porto Rikon, takohet me të prekurit nga uragani

03/10/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump vizitoi të martën Porto Rikon, në një përpjekje për të garantuar banorët e ishullit të gjendur në vështirësi se, ai është i angazhuar për rimëkëmbjen e vendit pas kalimit shkatërrimtar të uraganit “Maria”, që testoi aftësitë e tij për të menaxhuar katastrofat natyrore.

Pjesë e vizitës së Trump dhe zonjës së parë Melania, shoqëruar nga guvernatori i Porto Rikos, Rikardo Rossello, ishte edhe një tur në një lagje të banuar në Guajnabo, afër kryeqytetit, ku ata u takuan me familjet që qëndronin jashtë shtëpive të tyre për të bërë një foto me presidentin amerikan.

“Guvernatori dhe kryebashkiaku juaj kanë bërë një punë fantastike. Ne jemi përkrah jush. Ju uroj fat dhe kujdesuni për veten”, tha Trump.

Trump shtrëngoi duart me banorët, bisedoi me ta dhe i garantoi se ndihma nuk do të mungonte.

Administrata “Trump” është kritikuar në fakt për reagimin, pas kalimit të uraganit “Maria” që gjunjëzoi Porto Rikon dhe e vendosi në një situatë shumë të vështirë. Porto Riko është një territor amerikan, por që nuk ka përfaqësim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet amerikane.

Top Channel