Sulmi në Marsejë, nga një autor me 7 identitete

02/10/2017 00:00

Xhihadisti i dyshuar, i cili qëlloi me thikë dy të reja në stacionin kryesor të trenave në Marsejë, kishte përdorur në të kaluarën një sërë identitetesh të rreme dhe njihej për krime të vogla, sipas policisë franceze.

Kryeprokurori i Parisit, Francois Molins njoftoi se vrasësi kishte pasur 7 identitete të ndryshme, e asnjëri prej tyre nuk ishte në listën e terroristëve të dyshuar.

Një ushtar qëlloi për vdekje agresorin pas sulmit të së dielës. Viktimat mësohet të ishin kushërira nga Lioni, të dyja 20 vjeç. Njërës prej tyre iu pre fyti, ndërsa tjetra u qëllua me thikë në stomak.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes thanë se burri kishte thërritur “Zoti është i madh” në gjuhën arabe, në momentin e sulmit në afërsi të stacionit “Saint Charles”.

Sipas medieve franceze, autori i ngjarjes u ndalua të premten në Lion, nën dyshimin e vjedhjes në një dyqan, por më pas u lirua për mungesë provash. Ai mendohet të jetë afrikano-verior, por identiteti mbetet ende i paqartë.

Një polic i cituar nga gazeta “Le Parisien” pohon se burri kishte profilin e një krimineli të rëndomtë dhe për deportimin e tij do të ishte dashur identifikimi, por kjo nuk kishte ndodhur. Shteti Islamik njoftoi përmes një deklarate në faqen zyrtare të lajmeve “Amaq” se agresori ishte një prej ushtarëve të tij.

Që prej janarit të vitit 2015, Franca është goditur nga një sërë sulmesh xhihadiste, që kanë marrë më shumë se 240 jetë njerëzish në total. Presidenti Emmanuel Macron u shpreh i neveritur nga akti barbar, siç e quajti, dhe vlerësoi ushtarët e efektivët e policisë që kishin reaguar me shpejtësi.

Top Channel