Turi aziatik i Trump, Peniani në krye të axhendës

29/09/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump do të vizitojë 5 vende aziatike në nëntor, për të marrë pjesë në samitet rajonale.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se ai do të vizitojë Japoninë, Kinën, Korenë e Jugut, Vietnamin, Filipinet dhe shtetin amerikan të Hauait, në udhëtimin 11-ditor.

“Angazhimet e presidentit do të përqëndrohen te fuqizimi i reagimit ndërkombëtar përballë kërcënimit që vjen nga Koreja e Veriut”, shkruhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një retorikë të nxehtë muajt e fundit. Vendi i izoluar ekonomikisht dhe politikisht zhvilloi testin e tij të 6 bërthamor këtë muaj, pavarësisht dënimeve ndërkombëtare, e ka premtuar se do të kryejë edhe një tjetër test në oqeanin Paqësor.

Trump, nga platforma e Kombeve të Bashkuara kërcënoi se do të zhdukte nga faqja e dheut Korenë e Veriut, duke thënë se udhëheqësi i vendit komunist, Kim Jong-un është në një mision vetëvrasës.

Në një deklaratë të rrallë, Kim Jong-un premtoi se do ta përvëlojë “matufin me probleme mendore” me zjarr. Në turin e tij aziatik, Trump do të tentojë të bindë fqinjët e Penianit, përfshirë Kinën, të vazhdojnë fushatën e sanksioneve ekonomike kundër Koresë së Veriut.

Ndërkohë, në një nga ndalesat e tij, Trump do të marrë pjesë edhe në samitin e vendeve aziatike në Manila, ku nuk përjashtohet një takim me presidentin e shumëkritikuar të Filipineve, Rodrigo Duterte.

Top Channel