Pse gjermano-lindorët votuan ekstremistët?

29/09/2017 00:00

Ashtu si një e treta e fqinjëve të tij në qytetin gjermano-lindor, Dippoldiswalde, Rene Rothe votoi për ekstremin e djathtë në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës. Shqetësimi më i madh i fermerit 57-vjeçar ishin emigrantët, sidomos nëse ata shterojnë fondet qeveritare.

“Ka shumë refugjatë në këtë qytet dhe gjithmonë mendoj sesi do të shkojë halli i pensionit tim. Duhet të paguaj për nevojat e refugjatëve, e kur të vijnë familjet e tyre duhet të paguaj përsëri edhe për ato, apo jo?”, tha Rene Rothe, fermer.

Qyteti me 14.500 banorë ka pranuar 132 azilkërkues dhe në landin e Saksonisë, ku ndodhet Dippoldiswalde, “AfD”-ja fitoi bindshëm, duke mposhtur edhe kristian-demokratët e Angela Merkelit, që triumfuan nga ana tjetër në nivel kombëtar.

“Këtu shumica e njerëzve nuk pajtohen me një shoqëri shumëkulturore. Në perëndim të Gjermanisë, afrimi i emigrantëve konsiderohet si arritje në rrafshin kulturor, por në lindje shihet si kërcënim”, tha Werner Patzelt, studiues i Shkencave Politike në Universitetin Teknik të Dresdenit.

Grupet e protestës, sipas ekspertëve gjejnë një terren më pjellor në Gjermaninë lindore, ku preferencat partiake nuk janë të pandryshueshme dhe njerëzit kanë tendencë t’u besojnë më pak institucioneve, sesa në pjesën perëndimore të vendit.

Top Channel