Mianmar, OKB: Spastrim etnik i myslimanëve rohingya

29/09/2017 00:00

Gjatë 4 javëve të fundit mbi gjysmë milioni pjesëtarë të komunitetit mysliman Rohingya në Mianmar janë detyruar të arratisen nga vendi në një fushatë të orkestruar dhune, e cilësuar si një spastrim etnik nga OKB.

Por, vetëm të enjten Këshilli i Sigurisë mbajti takimin e tij të parë publik lidhur me situatën në më shumë se 8 vjet.

Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres i tha Këshillit se shpërthimi i fundit i dhunës është shndërruar në krizën e refugjatëve të krijuar me shpejt në botë, ‘një makth humanitar dhe i të drejtave të njeriut’, siç e cilësoi ai.

“Kemi marrë informacione drithëruese nga të arratisurit që janë kryesisht gra, fëmijë e të moshuar. Dëshmitë e tyre hedhin dritë mbi dhunën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, përdorimin e armëve, praninë e minave dhe dhunën seksuale. Kjo është e papranueshme e duhet të përfundojë sa më shpejt”, tha Guterres.

Të paktën 500 mijë Rohingya janë shpërngulur nga Mianmari që prej intensifikimit të dhunës në fund të muajit gusht duke sjellë me vete histori të shkatërrimit në masë dhe vrasjeve.

Largimi i tyre i detyruar përfaqëson eksodin më të shpejtë nga një vend i vetëm që prej genocidit në Ruandë në 1994.

Myslimanët Rohingya konsiderohen të jenë mes me njerëzve më të persekutuar në botë. Mianmari i përbërë kryesisht nga budistë i konsideron me kombësi nga Bangladeshi, por autoritetet e këtij të fundit thonë se janë mianmarezë. Si rezultat, ata janë praktikisht pa shtet.

Ambasadorja amerikane në OKB kërkoi ndëshkimin e forcave përgjegjëse të sigurisë dhe u bëri thirje vendeve të mos i sigurojnë më armë Mianmarit.

Top Channel