Brexit, Juncker: Duhet një mrekulli që bisedimet të avancojnë tek tregtia

29/09/2017 00:00

Presidenti i Komisioni Europian deklaroi se do të nevojitej një mrekulli që bisedimet për Brexit në fund të tetorit të katapultojnë në kapitullin që ka të bëjë me marrëdhëniet tregtare mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian.

Muaji tetor është objektiv i Londrës për të hapur bisedimet me BE-në për marrëdhëniet tregtare mes ishullit dhe Unionit.

“Nuk ka për të patur progres të mjaftueshëm. Nuk besoj se do të ketë progres të mjaftueshëm nga tani deri në tetor, përveçse po ndodhi ndonjë mrekulli”, deklaroi Jean-Claude Juncker nga Talini i Estonisë, ku ndodhet për samitin e radhës të Bashkimit Europian.

Negociatorët e të dyja palëve u takuan këtë javë në Bruksel për raundin e katërt të bisedimeve dhe megjithëse thanë se kishte përparime në disa pika kyçe, sërish progresi nuk ishte i mjaftueshëm për të kaluar tek pikat e tjera të divorcit.

Londra kërkon më këmbëngulje që të përparohet sa më shpejt që të jetë e mundur tek kapitulli i radhës i bisedimeve; ai që ka të bëjë me tregtinë dhe marrëdhëniet tregtare mes ishullit dhe Bashkimit Europian pas shkëputjes.

Por, BE këmbëngul se më parë duhet të bëhet progres i mjaftueshëm në tre çështje kryesore që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve të unionit që jetojnë në Britaninë e Madhe dhe të britanikëve që jetojnë në vendet e BE-së, kostoja financiare e divorcit dhe e ardhmja e Irlandës së Veriut.

Udhëheqësit e BE-së do të vendosin nës bisedimet do të përparojnë tek tregtia ose jo gjatë një samiti që do të zhvillohet më 19 dhe 20 tetor.

Top Channel