Vullkani kërcënon Balin, kërkohet largimi i turistëve

28/09/2017 00:00

Rreziku i shpërthimit të vullkanit në malin “Agung”, më i larti i Balit, ka bërë që vendas e të huaj të nxitojnë të largohen kush e kush më parë nga ishulli turistik.

Pas gjysmëshekulli qetësie, vullkani po gjëmon sërish, e gjatë dy javëve të fundit ka dhënë shenja të qarta riaktivizimi. Autoritetet e ngritën në maksimum nivelin e rrezikut, duke detyruar me mijëra vetë që jetojnë në afërsi të tij të evakuohen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Nëse vullkani shpërthen, qëllimi ynë është të garantojmë një strehë të sigurtë për të gjithë. Vendet i kemi përcaktuar tashmë. E rëndësishme tani është logjistika, ndarja e ushqimeve dhe pijeve. Kemi një sistem shumë të mirë këtu dhe pjesëtarët e komunitetit ndihmojnë njëri-tjetrin”, tha Nyoman Suëitra, kryebashkiak i Klungkung.

Më shumë se 100 tenda janë ngritur për të strehuar të evakuuarit. Një sërë vendesh, përfshirë Australinë, Singaporin e Shtetet e Bashkuara, kanë lëshuar paralajmërime për pushuesit, megjithatë për momentin fluturimet në zonë vazhdojnë si normalisht.

Për herë të fundit, vullkani i malit “Agung” ka shpërthyer në vitin 1963, duke vrarë më shumë se 1.000 banorë, ndërsa llava e tij u shpërnda asokohe në një largësi prej 7 kilometrash.

Top Channel