Pavarësia e Kurdistanit, Barzani: Të nisim dialogut me fqinjët

28/09/2017 00:00

Ndërtesa të larta të rrethuara nga parqe, hotele, vila e makina luksoze. Panorama e Irbilit – që përshkruan CNN, – është jashtë pritshmërive.

Mund të shkëmbesh këtë vend me një lagje të Dubait, por në fakt e gjen në qendrën e Irbilit, kryeqendrës së rajonit autonom të Kurdistanit në Irak.

“Njerëzit pyesin përse duam të shkëputemi, – thotë një banor për gjigantin mediatik amerikan. – Por shikoni pak përreth. Ne jemi vite dritë larg nga Bagdadi”.

Vota “po” në referendumin e së hënës ishte një ëndërr e bërë realitet për rajonin e vetëqeverisur, por një thirrje për luftë për Bagdadin dhe aleatët e tij, Turqinë e Iranin.

Pasi sfiduan Shtetin Islamik, kurdët nuk i tremben më asgjëje, megjithatë, presidenti i tyre synon arritjen e një marrëveshjeje për shkëputjen e Kurdistanit të Irakut nga pjesa tjetër e vendit.

“Në vend të kërcënimeve dhe sanksioneve, tani duhet të ketë një fillim të ri serioz të dialogut, me të cilin ne do të bëhemi fqinjë të mirë”, tha Marsoud Barzani, presidenti i Kurdistanit irakian.

Por qeveria e Irakut nuk do t’ia dijë për deklaratat e Barzanit. Kryeministri Haider al-Abadi tani është i vendosur që t’i sprapsë liritë që ka gëzuar deri më sot rajoni autonom.

“Nëse aeroportet në rajonin e Kurdistanit, në Erbil dhe Sulaimaniya, nuk do të vendosen nën autoritetin e qeverisë qendrore, Iraku do të pezullojë të gjitha fluturimet ndërkombëtare”, deklaroi ai, duke i dhënë afat deri të premten në orën 18:00.

Kjo i prek rëndë kurdët. Edhe pse i menaxhojnë vet të dy këto aeroporte, ata janë të varur nga Bagdadi për koordinimin e fluturimeve. Abadi kërkoi gjithashtu që të gjitha kalimet tokësore, të cilat lidhin rajonin me vendet fqinje, të kalojnë në kompetencën e qeverisë qendrore, por lidershipi kurd e hodhi poshtë menjëherë këtë pretendim.

Top Channel