Kryeministri japonez shpërndan Parlamentin

28/09/2017 00:00

Kryeministri japonez Shinzo Abe shpërndau Dhomën e Ulët të Parlamentit në prag të zgjedhjeve të parakohshme të shpallura të hënën, që do të mbahen në 22 tetor, një vit para afatit të rregullt.

Abe po kërkon një mandat të ri mes rritjes së popullaritet të tij dhe krizës së vazhdueshme bërthamore koreano veriore.

Abe u bë Kryeministër në 2012-n dhe partia e tij Liberal Demokrate drejton koalicionin qeveritar. Abe vuajti rënie të mbështetjeve më herët gjatë këtij viti, lidhur me pretendimet për nepotizëm, por situata u kthyer në favor të tij pasi Koreja lëshoi dy raketa balistike mbi Japoni, me kryeministrin që mbajti një qëndrim të ashpër kundër aktit.

Vendimi i tij për zgjedhje të parakohshme shihet si një përpjekje për të përfituar nga dobësimi i opozitës dhe rritja në sondazhe për koalicionin qeveritar. Por kryeministri përballet tani me një pretendent të ri, partia Konservatore e Shpresës, e cila u prezantua zyrtarisht të mërkurën dhe ka filluar që tani të tërheqë mbështetës.

Partia drejtohet nga Yuriko Koike, një personazh tepër popullor, guvernatorja e parë grua e Tokios dhe ish-spikere lajmesh.  Guvernatorja mbajti fjalimin e saj të parë gjatë një konference në selinë e partisë së re. Në të kaluarën, ajo ka mbajtur gjithashtu postin e ministres se Mbrojtjes në kabinetin e Abes.

Top Channel