Kina implementon sanksionet e OKB ndaj Veriut

28/09/2017 00:00

Kina u ka kërkuar kompanive koreano-veriore që operojnë në territorin e saj të mbyllin aktivitetin, duke implementuar kështu sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj shtetit të izoluar. Kompanitë duhet të mbyllen deri në fillim të janarit.

Sipërmarrjet e përbashkëta kineze dhe koreano-veriore janë të detyruara të mbyllen po ashtu.

Kina, aleatja kryesore e Penianit, ka ndaluar ndërkohë tregtinë e tekstileve dhe ka kufizuar eksportet e naftës. Lëvizja është pjesë e një reagimi ndërkombëtar ndaj testit të 6 dhe më të fuqishëm bërthamor të Penianit.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, pjesë e të cilit është Kina, votoi në mënyrë anonime për sanksione të reja më 11 shtator.

Ministria kineze e Tregtisë tha se ka vendosur një afat 120-ditor për kompanitë koreano-veriore, që ato të mbyllin aktivitetin.

Koreja e Veriut është politikisht dhe ekonomikisht e izoluar, e pjesa më e madhe e tregtisë së saj është me Kinën. Pekini ka qenë tradicionalisht mbrojtës i fqinjit të tij, por edhe ka kritikuar testet e tij bërthamore dhe retorikat e përshkallëzuara.

Më herët këtë vit, ai ndali blerjen e qymyrit nga Peniani, si edhe bllokoi ushqimet e detit dhe tregtinë e hekurit. Pekini ka qenë nën presion publik për të reaguar nga ana e presidentit amerikan Donald Trump, që ka duartrokitur e njëkohësisht edhe denoncuar politikën kineze në kohë të ndryshme.

Top Channel