Kina bllokon importet, Hong Kongu pushtohet nga mbetjet

28/09/2017 00:00

Pirgje të tëra gazetash, kutish e dokumentesh të flakura, kanë mbushur plot e përplot pikat e grumbullimit në Hong Kong, pasi Kina vendosi dy muaj më parë ndalimin e importit të 24 lloje mbeturinash, si pjesë e fushatës kundër “mbetjeve të huaja” dhe ndotjes mjedisore.

Hong Kongu është eksportues i rëndësishëm i letrës për riciklim në Kinë, e arsyeja përse detyrohet të kërkojë një zgjidhje të tillë lidhet me mungesën e hapësirës në qytet, që nuk ia lejon ngritjen e fabrikave të veta të riciklimit.

Çdo ditë, në qendrat e tij të grumbullimit mblidhen 2.500 tonë letër e hedhur. Pjesa dërrmuese e kësaj sasie dërgohej më parë në provincën jugore kineze të Guangdongut, ndërsa ngarkesa më të vogla niseshin drejt Azisë Juglindore.

“Shpresoj që qeveria e Hong Kongut të komunikojë e të arrijë një kompromis me Pekinin, në mënyrë që të shohin bashkë sesi mund të zgjidhet sa më mirë kjo situatë. Shqetësimin tim kryesor e përbën mungesa e hapësirës për letra dhe materiale që nuk mund të riciklohen”, tha MR NG, pronar pike grumbullimi.

Drejtori i shoqatës së materialeve të riciklueshme dhe riprodhimit, Jacky Lau thotë se, nga gjendja e krijuar, kjo industri po humbet gati 350 mijë dollarë në ditë.

Top Channel