Erdogan-Amerikës: Gulenin për pastorin amerikan

28/09/2017 00:00

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan sugjeroi se Turqia mund të lirojë një pastor amerikan të burgosur, nëse Shtetet e Bashkuara i dorëzojnë një klerik mysliman që jeton në Pensilvani, e që Ankaraja e akuzon si trurin e grushtit të dështuar të shtetit, vitin e shkuar.

Turqia kërkon ekstradimin e Fetullah Gulen, një ish-aleat i Erdoganit, mbështetësit e të cilit akuzohen se tentuan të rrëzojnë qeverinë e Erdogan në korrik të vitit 2016.

Mijëra njerëz u arrestuan në Turqi pas grushtit të dështuar të shtetit, mes të cilëve edhe misionari i krishterë amerikan, Andreë Brunson, i cili drejtonte një kishë të vogël në Izmir. Brunson akuzohet se është anëtar i rrjetit të Gulen, një organizatë terroriste sipas Turqisë, ndërsa Amerika thotë se është burgosur pa të drejtë dhe ka kërkuar lirimin e tij.

“Ata kërkojnë që t’iu kthejmë pastorin, por edhe SHBA-të kanë një pastor. Të na e kthejnë! Ne do ta gjykojmë atë që kemi dhe do ta kthejmë në SHBA. Ai që kemi ne është në gjykim, ai që kanë ata jo. Ai jeton në një vilë në Pensilvani dhe mund të na e japin që tani”, tha Recep Tayyip Erdogan, presidenti i Turqisë.

Përmes një dekreti të publikuar në gusht, Erdogan ka autoritetin që të miratojë shkëmbimin e të huajve të arrestuar, ose dënuar në Turqi, me njerëz të ndaluar në vende të tjera, në situata kur kërkohet nga siguria apo interesat kombëtare.

Top Channel