Shefi i OKB: Marrëveshja për klimën është thelbësore

31/05/2017 00:00

Sekretari i Përgjithëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se është absolutisht thelbësore, që bota të bashkohet për të luftuar kërcënimin e ndryshimeve klimatike.

Gjatë një fjalimi në Nju Jork, Guterres tha se, edhe nëse ka vende që kanë vënë në dyshim nevojën për marrëveshjen e Parisit për klimën të vitit 2015, vendet e tjera duhet të vazhdojnë këtë rrugë.

Shefi i OKB-së foli pasi presidenti amerikan, Donald Trump refuzoi që t’u bashkohej udhëheqësve të tjerë të G7-s në konfirmimin e mbështetjes për paktin. Pritet që Yrump të marrë një vendim për këtë gjatë kësaj jave.

“Nëse ndonjë qeveri dyshon te vullneti dhe nevoja globale për këtë marrëveshje, kjo është arsyeja që të tjerët të bashkohen edhe më fuqishëm dhe të qëndrojnë në këtë rrugë. Mesazhi është i thjeshtë: Je me ne, ose mbetesh pas. Bota është një katrahurë dhe është absolutisht thelbësore që të implementohet marrëveshja e Parisit”, deklaroi Guterres.

Ai tha se ndryshimet klimatike janë të pamohueshme, ndërsa duke iu përgjigjur pyetjeve deklaroi se, do të ishte e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara t’iu bashkoheshin paktit të Parisit. Guterres shtoi se, edhe nëse qeveria amerikane vendos ta braktisë paktin e Parisit, është shumë e rëndësishme që shoqëria amerikane të jetë e angazhuar.

Më herët, shtetet e Kalifornisë dhe Nju Jorkut premtuan se do të luftojnë ndryshimet klimatike, pa mbështetjen e administratës “Trump”.

Top Channel