Pavarësisht dënimit të dhunës nga palët politike në Maqedoni, qëndrimet e tyre për sa i takon situatës vazhdojnë të jenë të kundërta.
Për të diskutuar krizën, presidenti Gjorgje Ivanov ka thirrur një mbledhje emergjence me liderët politikë, të cilët pas incidenteve të dhunshme në parlament kanë vazhduar të drejtojnë gishtin nga njëri tjetri.
LSDM, lideri i së cilës Zoran Zaev u gjakos nga protestuesit e dhunshëm që pushtuan parlamentit, tha se askush nuk do të shpëtojë përgjegjësisë për atë që ndodhi. Socialdemokratët maqedonas thanë se dhuna është pasojë e nxitjeve që i ka bërë asaj Nikola Grueksvi dhe presidenti Ivanov që shkaktojnë provokime dhe duan ndarje e urrejtje. Plotësisht i kundër reagimi i vetë Gruesvkit, i cili padyshim dënoi dhunë, por përgjegjësit i sheh përballë tij.
“Zgjedhja e jashtëligjshme e kryetarit të kuvendit nga LSDM dhe partitë e mbështesin, duke shkelur procedurat ligjore, kontribuoi në rritjen e tensionin dhe shpërthimin dhunës”, u shpreh Nikola Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Vetë i zgjedhuri Talat Xhaferri, i cili ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, në reagimin e tij fajësoi drejt për drejtë presidentin Ivanov për situatën e krijuar, ndërsa falenderoi shqiptarët që nuk ranë pre e provokimeve.
Ndërkohë, aktori i heshtur i kaosit në parlament, policia maqedonase duket se do të mbajë përgjegjësinë e saj për trazirat. Ministri i punëve të Brendshme, Agim Nuhiu tha se vlerësimet e para tregojnë që policia ishte në lartësinë e duhur dhe do të kërkohet llogari nga ata që nuk bënë detyrën.
Top Channel