NBA, Golden State rikthehet te fitorja

15/03/2017 00:00

Golden State rikthehet te suksesi pas 3 disfatave radhazi në kampionatin e NBA. Skuadra e Warriors mposhti në ndeshjen e saj Philadelphia 76ers me rezultatin 106-104, në një ndeshje ku kalifornianëve iu desh të përmbysnin një disavantazh prej 16 pikësh.

Ata që shpëtuan Golden State nga një dështim tjetër ishin Curry, Thompson dhe Green, që shënuan respektivisht 29, 28 dhe 20 pikë. Për Philadelphian nuk mjaftuan 25 pikët e Sariç për të evituar disfatën ndaj Golden State.

Më të lehtë e pati ndeshjen e saj skuadra kampione në fuqi, Cleveland, që mposhti Detroitin në “Quicken Loans Arena” me rezultatin 128-96. Cleveland e tregoi forcën e saj që në fillimin e sfidës, pasi e mbylli periodën e parë me rezultatin 44-26, një avantazh të cilin e thelloi edhe më shumë me kalimin e kohës. LeBron James e mbylli sfidën me 16 pikë, 11 topa në tabelë e 12 asiste, ndërkohë që punën e tij e kompletoi Kyrie Irving me 26 pikë.

Fitore të thellë shënoi edhe Oklahoma ndaj Brooklyn Nets në “Barclays Center” me rezultatin 122-104. Edhe këtë radhë spektaklin e dhuroi Russell Westbrook, me 25 pikë, 19 asiste dhe 12 topa në tabelë. Në ndeshjet e tjera, New Orleans mposhti Portland 100-77, ndërsa Indiana humbi ndaj New York në “Madison Square Garden”, 81-87.

Top Channel