Erdogan, në prag mitizimi. HRW: Turqia, drejt një regjimi autokratik

19/01/2017 00:00

Deputetët e Parlamentit turk pritet të zhvillojnë raundin e dytë dhe të fundit të votimit mbi ndryshimet kushtetuese, që i japin presidentit Recep Tayyip Erdogan fuqi të tjera gjithëpërfshirëse. Sipas planeve, presidenti do të mund të zgjedhë ministrat dhe gjykatësit, ndërkohë që posti i kryeministrit nuk do të ekzistojë më.

Nga 18 nene në total, 7 kanë kaluar përgjatë natës. Nëse deputetët do të mbështesin edhe pjesën e mbetur në ditët e ardhshme, një referendum pritet të mbahet në vend.

Erdogan ka thënë se pakoja e re ligjore do të krijojë qeveri më të qëndrueshme, por kritikët e shohin këtë lëvizje si një rrëmbim të rrezikshëm pushteti. Ai thotë se ndryshimet e propozuara do të krijojnë një sistem ekzekutiv presidencial, siç janë ato në Francë dhe Shtetet e Bashkuara. Gjë që do të rezultonte edhe si hera e parë e një Presidence me pushtet ekzekutiv në historinë moderne të Turqisë.

Ndryshimet kushtetuese do të ndryshojnë gjithashtu rolin e presidentit, nga kryesisht ceremonial në kreun e vetëm ekzekutiv të shtetit; do t’i japin presidentit fuqinë për të aktivizuar disa ligje përmes dekreteve; do të krijojnë të paktën një post zëvendëspresidenti; do të rrisin numrin e parlamentarëve nga 550 në 600 të tillë; do të ulin moshën minimale për t’u zgjedhur deputet nga 25 në 18 vjeç; do të lejojnë presidentin të jetë anëtar i një partie politike; e në fund do të përcaktojnë që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbahen njëkohësisht çdo 5 vite.

Partia në pushtet me rrënjë islamike “AKP” siguroi shumicën prej 3/5-tave të nevojshme për t’i dhënë mbështetjen paraprake paketës ligjore të votuar të dielën, falë mbështetjes së Partisë së Lëvizjes Nacionaliste të krahut të djathtë, ose e katërta në legjislaturën aktuale.

Partia Republikane Popullore (CHP), më e madhja opozitare, kundërshton ndryshimet kushtetuese, duke bërë që debatet të nxehen së tepërmi kohët e fundit. Javën e kaluar, një luftim i ashpër shpërtheu në Parlament pasi deputetë të “AKP”-së u përplasën me deputetë të “CHP”-së, kur një parlamentar u përpoq të filmonte momentin e votimit gjatë debateve.

Të mërkurën, “Human Rights Watch” me seli në SHBA tha se ndryshimet e propozuara përbëjnë “një kërcënim të madh për të drejtat e njeriut, për sundimin e ligjit dhe për të ardhmen demokratike të vendit”, duke i përshkruar ato si një përpjekje për ta kthyer pushtetin në Turqi në një “regjim të një individi të vetëm”. “Kjo qeveri po nxiton me këto ndryshime në Parlament, në një kohë që vendi ndodhet në gjendje emergjence dhe në vazhdën e një spastrimi kolosal, kohë gjatë së cilës shumë medie të pavarura janë heshtur, ndërsa debati publik është ndaluar”, shton “HRW”.

Turqia ndodhet në gjendje emergjence që prej përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrik të vitit të kaluar, situatë që u shty edhe më tej pas një serie sulmesh që goditën vendin, përfshi vrasjet masive në klubin e natës së Stambollit në prag të ndërrimit të viteve.

Erdogan, sot 62 vjeç, erdhi në pushtet në vitin 2002, vetëm një vit pasi formoi “AKP”-në. Ai ka kaluar 11 vite në pushtet si kryeministër i Turqisë, përpara se në vitin 2014 të bëhej presidenti i parë i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, një post që supozohej të ishte kryesisht ceremonial.

Top Channel