Kasapi që paguhet 4000 $ për të prerë proshutë

12/12/2016 00:00

Nëse mendoni se çmimi i proshutës që blini është i shtrenjtë, do të lëvizni nga vendi kur të dëgjoni se ka njerëz që paguajnë 4000 dollarë një kasap spanjoll vetëm për ta prerë atë.

Po flasim për proshutën spanjolle (jamon iberico) që është një nga mishrat më të shtrenjtë në botë dhe kur Florencio Sanchidrián punon me të, çmimi shkon në stratosferë.

“Kur unë e pres, proshuta shijon krejtësisht ndryshe dhe më bën që të kujtohem se Zoti ekziston”, ka thënë Sanchidrián për “New York Times”.

Edhe pse kjo frazë duket shumë narcisiste dhe pa kuptim, ky kasap spanjoll ka prerë proshuta për njerëz si Barack Obama, Robert De Niro apo David Beckham.

Në një intervistë për “Munchies”, Florencio ka treguar paksa nga sekretet e zanatit të tij.
“Jam përpjekur të mësoj sa më shumë dhe të përmirësohem, derisa arrita në një pikë që iu përkushtova krejtësisht këtij profesioni të bukur. Një prerës i mirë proshutash duhet të përdorë sa më pak të jetë e mundur kyçin dhe kur të shërbejë mishin, duhet të ndihmojë njerëzit që ta vlerësojnë atë me të gjitha shqisat e tyre”, shprehet Florencio Sanchidrián.

Top Channel