Të mbrojmë lumin nëpërmjet sportit, organizohet Kampionati Kombëtar i Rafting

24/11/2016 00:00

Kampionati Kombëtar i Rafting organizuar në qytetin e Beratit ka mbledhur qindra të rinj në brigjet e Osumit, ku nëpërmjet sportit synohet të promovohet lumi si vlerë e zonës dhe natyra në përgjithësi.

Edhe këtë vit Federata Shqiptare e Rafting, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe një sërë partnerësh të tjerë mundësoi kampionatin e rafting mes nxënësve të shkollave të mesme, duke afruar pranë lumit qindra të rinj dhe qytetarë që e kanë ndjekur nga afër. Nxënësit e shkollave të ndara në kategorinë e vajzave dhe djemve kanë garuar në disiplinën kokë më kokë, duke përshkruar lumin Osum me gomone nga ura e Varur në drejtim të urës së Goricës, ndërkohë që për të ndërthurur rafting me ecjen, në kthim garuesit kanë ardhur me vrap drejt vijës së finishit.

Vetë të rinjtë janë shprehur se kjo ka qenë një eksperiencë mjaft pozitive, pasi ka lindur brenda tyre dëshira edhe më e madhe për sportin. Ndërkohë që nëpërmjet këtij aktiviteti sensibilizohen jo vetëm ata, por gjithë shoqëria për mbrojtjen e lumit dhe natyrës.

Për organizatoren e këtij eventi, Blerina Ago, mesazhi që u përcoll sot është shumë i rëndësishëm, pasi sporti na ndihmon që të mbajmë mjekun larg, të kemi një shoqëri edhe më të mirë, ndërkohë që nga këto kampionate sipas saj do të dalin nesër përfaqësuesit e garave kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë sport.

“Ishte eksperienca më e bukur që kemi pasur deri më sot. Është hera e dytë që shkollës tonë i jepet ky rast dhe ja kaluam shumë bukur. Jo vetëm për këtë, por çdo aktivitet që bëhet, është një mundësi shumë e mirë që na jepet”, shprehet një prej pjesëmarrëseve nga skuadra e Lapardhasë.

Është një eksperiencë shumë e bukur që ja vlen të provohet edhe nëse humbet. Është diçka që të mbetet në memorie”, thotë një tjetër pjesëmarrëse nga skuadra e Sinjës.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel