Ken Friar, presidenti i përjetshëm i Arsenalit dhe një nga figurat më të rëndësishme në historinë e klubit londinez, është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare.

Ai i kushtoi plot 70 vite të jetës Arsenalit, duke mbajtur role të ndryshme drejtuese dhe duke luajtur një rol kyç në zhvillimin e klubit.

Friar nisi të punonte për Arsenalin në vitin 1950, fillimisht në sektorin e biletave, ndërsa në vitin 1973 u emërua sekretar i klubit. Më vonë, ai shërbeu si drejtor menaxhues për 23 vite, deri në vitin 2000, kur mori përsipër një nga projektet më të rëndësishme në historinë moderne të Arsenalit: zhvendosjen nga stadiumi historik Highbury drejt Emirates Stadium.

Në këtë projekt, Friar bashkëpunoi ngushtë me mikun dhe kolegun e tij, Danny Fiszman. Pas gjashtë vitesh pune, Arsenali u zhvendos në stadiumin e ri në vitin 2006, duke nisur një kapitull të ri në historinë e klubit.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në futboll, Friar u nderua me titullin OBE në vitin 2000, ndërsa mori edhe vlerësimin “Freedom of the Borough of Islington”. Në vitin 2020, pas tërheqjes nga detyrat drejtuese, ai u emërua president i përjetshëm i Arsenalit.

I njohur me përkëdheli nga njerëzit e klubit si “Mr Friar”, ai vazhdoi të ndiqte ndeshjet e Arsenalit edhe pas largimit nga drejtimi, duke ruajtur një lidhje të veçantë me skuadrën që i kishte kushtuar pjesën më të madhe të jetës.

Historia e tij me Arsenalin nisi edhe më herët se puna zyrtare në klub. Sipas një historie të njohur, në vitin 1945, kur ishte ende i ri, Friar goditi gabimisht topin poshtë makinës së trajnerit të atëhershëm të Arsenalit, George Allison. Entuziazmi i tij për futbollin i bëri përshtypje Allisonit, i cili i dha mundësinë të punonte me kohë të pjesshme në sektorin e biletave.

Në nder të kontributit të tij, një statujë e Friar ndodhet pranë Emirates Stadium, ndërsa pranë impiantit është emërtuar edhe ura “Ken Friar Bridge”.

Në njoftimin zyrtar, Arsenali shprehu dhimbjen për humbjen e tij, duke e cilësuar Friar si një figurë me ndikim të jashtëzakonshëm në historinë e klubit dhe duke vlerësuar trashëgiminë e tij të veçantë.

Ken Friar la pas bashkëshorten Gwendoline, me të cilën ishte martuar në vitin 1957, si dhe dy fëmijët e tyre. Bashkëshortja e tij ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2020.

Top Channel