Roma pret Real Madridin në Champions League pas 8 vitesh, Gasperini flet për Mourinhon: E meriton një homazh nga tifozët

13/10/2026 14:06

Roma përgatitet të rikthehet në stadiumin “Olimpico” për një mbrëmje të Ligës së Kampionëve pas një pritjeje tetëvjeçare.

Përballë do të ketë Real Madridin, një nga klubet më të mëdha dhe më të suksesshme në historinë e futbollit evropian. Një tjetër element që e bën këtë përballje të veçantë është rikthimi i Jose Mourinhos në kryeqytetin italian, këtë herë si kundërshtar i skuadrës që drejtoi më parë.

Trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, foli për sfidën e rëndësishme dhe vlerësoi figurën e Mourinhos, duke theksuar se portugezi meriton një pritje të veçantë nga tifozët verdhekuq.

I pyetur se çfarë i duhet Romës për të arritur nivelin e Real Madridit, Gasperini theksoi se klubi spanjoll përfaqëson një standard të jashtëzakonshëm në futbollin botëror.

“Është e vështirë ta kesh Real Madridin si pikë referimi, për atë që përfaqëson në botë. Është klubi më i suksesshëm dhe me më shumë tifozë në planet. Ata nuk duhet të jenë pikë referimi për ne, por nesër do të masim veten me ta. Së fundmi kemi luajtur kundër Interit dhe Comos, tri nga skuadrat më të mira në Itali. Tani është koha të përballemi me Real Madridin për të kuptuar se ku ndodhemi”, u shpreh trajneri italian.

Gasperini u ndal edhe te rikthimi i Jose Mourinhos, duke nënvizuar se trajneri portugez ka lënë gjurmë te tifozët e Romës.

“Është e drejtë që të ketë një homazh. Mourinho është dashur jashtëzakonisht shumë nga tifozët dhe, për këtë arsye, meriton njohjen që do t’i japin. Këto janë gjëra që të gjithë i ndiejnë, por më pas fillon ndeshja. Sapo të nisë sfida, ndjenjat lihen mënjanë. Tifozët tanë do të brohorasin për Romën”, deklaroi Gasperini.

Trajneri i Romës foli edhe për ndryshimet mes skuadrës aktuale dhe asaj që drejtohej më parë nga Mourinho, duke theksuar se bëhet fjalë për dy ekipe me karakteristika të ndryshme.

“Çdo ekip ka karakteristikat e veta. Ajo ishte një Romë e re, me pronarë të rinj, investime dhe shumë entuziazëm. Ekipi im është shumë i fortë dhe i sigurt. Kemi një atmosferë fantastike në grup”, u shpreh ai.

Gasperini vlerësoi gjithashtu aftësinë e Mourinhos për të krijuar lidhje të forta me lojtarët dhe për të përfituar maksimumin nga futbollistët që ka në dispozicion.

“Rezultatet e tij flasin vetë. Do të veçoja empatinë dhe aftësinë për të marrë lojtarë të jashtëzakonshëm, madje edhe me kosto të larta. Kjo është fantastike”, tha trajneri italian.

Sa i përket aspektit taktik, Gasperini bëri të qartë se Roma nuk synon të heqë dorë nga identiteti i saj, pavarësisht cilësive të kundërshtarit.

“Ne i përdorim pikat tona të forta kundër të gjithëve dhe nuk do ta ndryshojmë natyrën tonë. I dimë cilësitë e tyre. Atyre u duhet shumë pak për të krijuar situata të rrezikshme dhe për të të dëmtuar. Janë një ekip i shkëlqyer, me lojtarë të shkëlqyer, por ne nuk duhet të ndryshojmë mënyrën tonë të lojës”, theksoi ai.

Në fund, Gasperini foli edhe për objektivat e tij me Romën, duke shpresuar të arrijë rezultate edhe më të mira se ato që realizoi gjatë periudhës së tij te Atalanta.

“Qëllimi dhe shpresa ime është të bëjmë edhe më mirë se ajo që arritëm në Bergamo. Me Atalantën u kualifikuam në pesë nga shtatë sezonet dhe fituam Ligën e Evropës, një kompeticion shumë të vështirë”, përfundoi trajneri i Romës.

Top Channel