Sekretari i Jashtëm Boris Johnson, me dy qëndrime ndaj “Brexit”-it

16/10/2016 00:00

Gazeta prestigjioze e së dielës “The Sunday Times” ka botuar përmbajtjen e një artikulli të shkruar nga ish-kryebashkiaku i Londrës dhe Sekretari i Jashtëm aktual i Britanisë, Boris Johnson, ku ai kërkonte që Britania të qëndronte në Bashkimin Europian.

Ky shkrim i pabotuar, për gazetën tjetër “The Daily Telegraph” ishte shkruar dy ditë përpara njoftimit të tij shokues, se ai mbështeste largimin e vendit nga BE-ja në referendum. Në atë artikull, Boris Johnson shkruante se, “Britania ishte një komb i madh dhe një forcë globale e së mirës. Sigurisht do të ishte një përfitim i madh për botën dhe Europën, që vendi ynë të jetë i angazhuar ngushtësisht me Bashkimin Europian”.

Sekretari aktual i Jashtëm pas “Brexit”-it i referohej në atë shkrim paralajmërimeve se “një ‘Brexit’ do të çonte në një shok ekonomik, në pavarësinë e Skocisë nga Britania dhe në një agresion rus”.

Pikërishst dy ditë pas këtij shkrimi, Boris Johnson, ish-kreytari i Bashkisë së Londrës shpalli publikisht qëndrimin e tij pro largimit dhe ishte figura kryesore në fushatën për daljen e vendit nga Bashkimi Europian në referendum.

Që nga dita e referendumit, stërlina angleze ka rënë në nivelin më të ulët të saj të këmbimit, që nga vitet ’80, duke humbur 18 për qind të vlerës kundrejt dollarit amerikan, ndërkohe kryeministrja skoceze ka paraqitur planet për një referendum të dytë për pavarësi nga Londra, nëse Britania largohet nga tregu i përbashkët europian.

Top Channel